Rritet me debate paga minimale
Qeveria e donte 23 mijë lekë, por vendosi 21 mijë, pas presionit të biznesit
Duke nisur nga data 1 korrik, paga minimale në shkallë vendi do të jetë 21 mijë lekë, nga 20 mijë që është aktualisht, me një rritje prej 5 për qind. Vendimi nuk është marrë ende dhe pritet të finalizohet më 22 qershor në mbledhjen e radhës të Këshillit Kombëtar të Punës, por më herët, Ministria e Punës dhe ajo e Financave kanë zhvilluar një sërë debatesh të forta me grupet e interesit, për faktin se ishte propozuar një nivel page në 23 mijë lekë. Për privatin niveli i propozuar do të thoshte më shumë taksa në shtet, sidomos për sektorët ku kanë një numër të konsiderueshëm të punësuarish. Gazeta Shqip mëson se debatet e shumta mes palëve kanë detyruar komitetin të vendosë paraprakisht për nivelin e pagës minimale, në 21 mijë lekë, ndërsa gjithçka do të vendoset në mbledhjen e qeverisë, kur do të miratohet edhe rritja e pagave e pensioneve.
Masa e re vjen si traditë e qeverisë për të rritur pagën minimale, e detyrueshme për shkak edhe të indeksimit të pagave. Rritja e pagës minimale këtë vit është kundërshtuar, sidomos nga bizneset e fasonit, të cilat e konsiderojnë një barrë tepër të rëndë për ta, në kushtet kur bizneset e tyre po përballen me rënien e porosive nga partnerët ndërkombëtarë, e reflektuar kjo me rënien e eksporteve të fasonit me rreth 4% me bazë vjetore për katër muajt e parë të këtij viti.
Sakaq, është zbardhur edhe projektvendimi, i hartuar nga ministrat e Punës dhe të Financave. Kështu, në pikën 1 të vendimit, paga bazë minimale, mujore, për punonjësit në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj të jetë 21 000 lekë. Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj të kryera gjatë kohës normale të punës.
Të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale arritën në 9 miliardë lekë për periudhën janar-prill 2012, me rënie prej 1 për qind në krahasim me 4-mujorin e një viti më parë dhe me realizim të planit për vitin 2012 në masën 96.4 për qind. Vendosja e këtij niveli të ri të pagës minimale, do ti rrisë të ardhurat me të paktën 5 për qind për buxhetin e shtetit.
A.Kola
Efektet
Vendosja e këtij niveli të ri të pagës minimale do ti rrisë të ardhurat me të paktën 5% për buxhetin e shtetit