Rritet punësimi i të rinjve në Sarandë, interes i lartë për praktikat profesionale

Zyrat vendore të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive në Sarandë kanë arritur të punësojnë një numër të konsiderueshëm të rinjsh përmes programeve të ndryshme të punësimit.
Këto iniciativa kanë synuar jo vetëm uljen e papunësisë, por edhe krijimin e mundësive konkrete për zhvillim profesional brenda qytetit.Sipas përgjegjëses Anisa Çuçi, vihet re një interes në rritje nga ana e të rinjve për t’u përfshirë edhe në praktika profesionale.
Këto praktika u japin atyre mundësinë të fitojnë përvojë të drejtpërdrejtë në tregun e punës dhe të ndërtojnë aftësi të nevojshme për karrierën e tyre të ardhshme.
“Nëpërmjet programeve të punësimit të rinjtë i mbështesim nëpërmjet programeve të nxitjes së punësimit sezonale dhe gjithë vjetore.”
Falë mbështetjes së ofruar nga këto programe, shumë të rinj po zgjedhin të mos largohen nga Saranda.
Ata po qëndrojnë në qytetin e tyre, duke u aftësuar në sektorë të ndryshëm dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik lokal.
“Të rinjtë e Sarandës preferojnë të punësohen në qytetin e tyre”
Një rol të rëndësishëm në këtë proces luan edhe punësimi sezonal, i cili u jep mundësi të rinjve të angazhohen sidomos gjatë periudhave turistike.
Ky kombinim mes trajnimit dhe punësimit po ndihmon në krijimin e një perspektive më të qëndrueshme për të rinjtë në qytet.
/rtsh.al/