Investim për transformimin e plotë të shkollës së Mesme të Bashkuar “Koço Brisku” në Lapardha

TIRANË, 18 mars/ATSH/ Në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Koço Brisku” në Lapardha, Berat vijon me ritme të larta puna për të sjellë një transformim të plotë në shërbim të nxënësve dhe mësuesve.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se ky investim i Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Berat do të krijojë kushtet e duhura për zhvillimin e procesit mësimor, duke e kthyer shkollën në një hapësirë frymëzuese, edhe për aktivitetet pas shkollore.
Projekti për rehabilitimin e shkollës pritet të përfundojë përpara fillimit të vitit të ri shkollor 2026-2027, duke mundësuar që nxënësit të rikthehen në një shkollë të rikonstruktuar plotësisht në muajin shtator, të pajisur me të gjitha kushtet e nevojshme për një proces mësimor më cilësor.
Në nisje të vitit të ri arsimor 2025-2026 hapën dyert 30 shkolla të reja dhe të rehabilituara në të gjithë vendin, me 340 laboratorë smart. Ndërkohë që janë 42 kantiere shkollash të hapura njëherësh në të gjithë vendin, të cilat do të përfundojnë me buxhetin e vitit 2026.
/k.s/j.p/