Rritet volumi i mallrave në Portin e Durrësit, propozohet ndërtimi i Porto-Romanos
Statistikat e Autoritetit Portual të Durrësit (APD) për vitin 2023, që u bënë publike këto ditë, konfirmojnë kërkesën e qeverisë shqiptare për një port tjetër mallrash, sikundër është Porto-Romano, për të cilin tashmë projekti është gati, i përgatitur nga një prej kompanitë më të njohura në Botë, ajo holandeze “Royal HaskoningDHV”. Sipas statistikave zyrtare, në vitin 2023 është rritur me 38% volumi i përpunimit të njësive kontejnerike në Portin e Durrësit.
Janë përpunuar 155 anije konteinerike, të cilat kanë transportuar mbi 184 mijë njësi konteinerike me mallra të ndryshme.
Referuar të dhënave statistikore të APD-së, volumet e përpunimit të njësive kontejnerike për vitin 2023 kanë shënuar një rritje të konsiderueshme në masën 38%, në raport krahasimor me vitin paraardhës.
Të njëjtat burime saktësojnë, se gjatë vitit që lamë pas, në Terminalin e Kontejnerëve, anijet kanë sjellë mbi 92 mijë kontejnerë, ndërsa pjesa dërmuese e tyre, janë nisur për eksport drejt porteve të huaja, duke shënuar kështu një rritje prej 51 kontejnerësh më shumë se janar–dhjetori 2022.
Sipas shifrave analitike të APD-së, për periudhën progresive 2019-2023, sektori i kontejnerëve ka njohur një rritje mesatare në masën 7%, ndërkohë që përgjatë së njëjtës periudhë janë përpunuar në total 8,7 milionë tonë mallra me kontejnerë.
Kjo rritje e volumeve të përpunimit në kryeqendrën portuale të vendit konfirmon edhe njëherë vizionin strategjik të qeverisë shqiptare për portin e ri tregtar të Durrësit në Porto-Romano, i cili do të rrisë ndjeshëm hapësirat dhe kapacitetet e përpunimit të mallrave, duke sjellë një ndryshim thelbësor në modelin e logjistikës dhe tregtisë detare, por edhe në gravitetin që infrastruktura portuale ka në ekonominë kombëtare dhe atë rajonale, deklarojnë autoritetet e Portit të Durrësit.
Gazetar: Bardhi Sejdarasi
/rtsh.al/