Rritja e çmimit të naftës, shoqatat e transportit paralajmërojnë reduktim me 40% të flotës së autobusëve

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban deklarojnë se nga nesër, flota e autobusëve të shërbimit publik do të reduktohet me 40%, si pasojë e rritjes së çmimit të naftës dhe mungesës së masave mbështetëse nga ana e qeverisë.
Në një njoftim të përbashkët, shoqatat e transportit theksuan se ky vendim erdhi pas rritjes së çmimit të naftës deri në 215 lekë për litër, e cila ka rënduar ndjeshëm koston e operimit për operatorët e transportit publik.
Përfaqësuesit e shoqatave kanë shprehur shqetësimin për mosmiratimin e një skeme kompesimi për rritjen e çmimit të karburantit, dhe për mungesën e një plani veprimi për lehtësimin e barrës fiskale të sektorit.
Ata theksuan se ende nuk është marrë asnjë masë konkrete për mbështetje financiare dhe nuk është nisur procesi për rishikimin e elementeve fiskale që ndikojnë drejtpërdrejt në kostot operative të operatorëve, si akciza, taksa e qarkullimit dhe TVSH.
“Derisa të merren masa të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, reduktimi i flotës me 40% është një hap i detyruar për të mundësuar vazhdimin e aktivitetit në këto kushte të vështira financiare”, thuhet në deklaratë. /j.p/