E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja e fëmijëve pranë kafshëve shtëpiake, psikologia: Ndikon pozitivisht në zhvillimin emocional dhe social të fëmijëve

Rritja e fëmijëve pranë kafshëve shtëpiake mund të ndikojë në zhvillimin e tyre emocional dhe social. Përveç shoqërisë, kujdesi për një kafshë i përfshin fëmijët edhe në përgjegjësi të përditshme. Psikologia Suela Domnori shpjegon se prania e një kafshe mund të ndikojë në mënyrën se si fëmijët shprehin emocionet dhe ndërveprojnë me të tjerët.

“Mbajtja e një kafshe shtëpiake është një zgjedhje vërtet shumë e mirë për të gjitha familjet që po rrisin fëmijë. Të bashkëjetosh bashkë me një kafshë patjetër që ndikon pozitivisht në zhvillimin emocional dhe social të fëmijëve, sepse zgjon aty ndjenjën e përkujdesjes, të dhembshurisë dhe për të kuptuar se si ndodhet tjetri në situatën e tij, duke u bërë kështu ndoshta dhe më empatik”, tha Domnori.

Krahas ndikimit emocional, përfshirja në kujdesin për kafshën ndihmon edhe në zhvillimin e përgjegjësisë dhe empatisë.

“Ka një ndikim të jashtëzakonshëm, sidomos për fëmijët të cilët janë më të tërhequr dhe më të izoluar nga ana sociale. Kafshët shtëpiake janë miqtë tanë më të mirë dhe jo vetëm për fëmijët, dhe kjo gjë është vërtet më e identifikueshme tek moshat e vogla. Kemi vënë re që rritja në ambiente ku ka dhe kafshë shtëpiake ka ndikuar pozitivisht që këta fëmijë të rriten më të shëndetshëm nga ana mendore, psikologjike dhe emocionale”, tha ajo.

Përtej shoqërisë dhe lojës, bashkëjetesa me një kafshë shtëpiake mund të jetë një përvojë që ndikon në formimin e fëmijëve dhe në mënyrën se si ata ndërtojnë marrëdhëniet me të tjerët.

Gazetare: Blerta Cina

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›