E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rritja e nivelit të kërkimit shkencor, Rama takon kryetarin e Akademisë së Shkencave

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Kryeministrin Edi Rama, në një takim me kryetarin e Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, anëtarët e Kryesisë, drejtues të instituteve dhe qendrave të përhershme të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, inkurajoi nismat e ndërmarra nga Akademia e Shkencave për rritjen e nivelit të kërkimit shkencor.

Përmes një njoftimi për shtyp, Akademia e Shkencave informoi mbi fokusin e këtij takimi të zhvilluar në 24 janar, ku Kryeministri vlerësoi rezultatet e reformës dhe punën e deritanishme të Akademisë së Shkencave.

Rama kërkoi të njihej me raportin e Institutit të Arkeologjisë me muzetë në vend, më konkretisht lidhjen që ka Instituti i Arkeologjisë i Akademisë së Shkencave me Muzeun Arkeologjik të Durrësit.

Kryeministri Rama premtoi që do ta ndjekë me kujdes këtë problem, duke u konsultuar edhe me ministrin aktual të Ministrisë së Ekonomisë Kulturës dhe Invoacionit. Sa i takon ligjit për trashëgiminë dhe problematikave që ka shkaktuar zbatimi i tij, kryeministri Rama kërkoi nga Akademia dhe ekspertët e saj amendimet konkrete dhe një draft për ndërhyrjet në ligj.

Kryeministri ndau idenë që me rikonstruksionin dhe riideimin e funksionimit të Muzeut Historik Kombëtar, fonde të Muzeut të Arkeologjisë dhe Muzeut të Etnografisë të bëhen pjesë e MHK, ndarë në linja muzeale, në të cilën ai propozoi të përfshihej edhe gjuha shqipe, duke mirëkuptuar edhe kërkesën e ASHSH-së për të patur muze autonom me fondet e instituteve që janë dhe objekt i punës studimore.

Në lidhje me kërkesën për rritjen e fondeve për kërkimin shkencor, kryeministri Rama garantoi mbështetje, por mbi bazën e studimeve konkrete dhe domosdoshmërinë e një harte të qartë se ku mund të jenë përfitimet në fushën e kërkimit shkencor.

Lidhur me pagat e punonjësve të instituteve, Kryeministri deklaroi se duhen parë, pasi sipas tij, nuk ka kuptim që institutet që kanë nivelin më të lartë të kërkimit shkencor të kenë paga më të ulëta se universitetet.

Në lidhje me kalimin e njësisë kërkimore NANO-ALB në një qendër kërkimore të përhershme dhe vendosja e saj në ambientet e korpusit të UBT-së, sipas Kryeministrit ishte një zgjidhje perfekte.

Kryeministri preku edhe mundësinë për hartimin e një strategjie, ku të ndërthuret bashkëpunimi midis qendrave dhe njësive kërkimore shkencore të ASHSH-së, ministrive të linjës dhe privatit për ofrimin e ekspertizës përmes certifikimit të produkteve, si formë për gjenerimin e të ardhurave.

Nga ana e tij, Gjinushi parashtroi një informacion të përmbledhur mbi veprimtarinë e Akademisë së Shkencave, e posaçërisht, mbi ecurinë e tre projekteve të albanologjisë e ngritjen e Qendrës së Biogjenetikës.

Ai e njohu Kryeministrin me ristrukturimin e riorganizimin e instituteve të albanologjisë, e të qendrave të përhershme dhe njësitë e përkohshme, duke theksuar se pranë ASHSH-së janë të aktivizuar si punonjës kërkimorë e bashkëpunëtorë rreth 500 specialistë të lartë.

Duke vlerësuar mbështetjen e dhënë në fazën e parë të reformës, Gjinushi kërkoi që kjo të vijojë edhe për fazën e dytë të reformës së Akademisë së Shkencave.

Ndër çështjet kryesore të përmendura prej kryetarit Gjinushi, për të cilat kërkohet mbështetje prej Këshillit të Ministrave dhe institucioneve qendrore, ishin mjediset për muzetë, arkivat, institutet, qendrat dhe veprimtarinë akademike.

Sipas tij, “në kushtet aktuale, nevojat për mjedise për muzetë e arkeologjisë dhe etnografisë janë emergjente, pasi fondet e tyre sot janë 80% të paekspozuara e në kushte magazinimi të papërshtatshme, deri në degradim”.

“Nevojitet mbështetje për gjetjen e mjediseve për hapësira muzeale, si edhe hapësira për ambiente zyrash të punonjësve të Instituteve të Albanologjisë. Kryeministri u informua se aktualisht Muzeu Arkeologjik ka potencialisht 2.200 objekte arkeologjike të ekspozuara dhe 15.000 të tjera në ruajtje. Muzeu Etnografik nuk ka ambiente ekspozimi, ndërkohë, ka qindra objekte me vlerë si: flamuj kombëtarë të ngjarjeve më të rëndësishme historike, kostume popullore të të gjitha krahinave, objekte ari e argjendi, fond fotografish e disqesh, etj. Nevoja e rikonstruktimit të godinës së Akademisë së Shkencave dhe e Librit Akademik, si dhe ajo e dublimit të sallës së mbledhjeve”, shtoi Gjinushi.

Ndër të tjera, Kryetari i Akademisë së Shkencave kërkoi rritjen e kapaciteteve në kërkimin shkencor sipas strategjisë për shkencën 2023-2030. Ai nënvizoi domosdoshmërinë për një vendim të Këshillit të Ministrave në të cilin të specifikohen hapat konkretë në ngritjen e Qendrës Nano-Alb, ku të përcaktohen fazat, mjediset, detyrat ndaj Akademisë së Shkencave, Bashkisë etj.

“Nevojitet mbështetje për rritjen në perspektivë të kapaciteteve të Qendrës së biogjenetikës, instituteve të albanologjisë, sipas strategjisë për shkencën, si dhe konsultimi i statusit të Institutit të Fizikës Bërthamore e atij të Gjeo-Shkencave. Fondet për kërkimin shkencor në nivel kombëtar mbeten ende në nivele shumë të ulëta, nevojitet planifikimi financiar, ku të parashikohet që mbështetja me fondet buxhetore të shkojë të paktën në 1- 2% të GDP-së, si dhe mundësia për një rishikim të pagave të punonjësve kërkimorë-shkencorë që punojnë në institutet e ASHSH-së për t’u njësuar realisht me ato të institucioneve të arsimit të lartë”, shtoi ai.

1 nga 5

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›