“Topi i Artë 2024”, Duka: Në bashkëpunim me qeverinë shtojmë 5 stadiume të reja

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, mbajti një fjalim përshëndetës gjatë Mbrëmjes Gala “Topi i Artë” 2024. Në këtë event të veçantë dhe madhështor, Presidenti Duka shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj të gjithë aktorëve që kontribuan në sukseset dhe emocionet unike të vitit 2024.
Presidenti Duka falenderoi futbollistë e futbolliste, trajnerë, drejtues klubesh, akademish e shoqatash, arbitra, Komitetin Ekzekutiv dhe administratën e FSHF-së, qeverinë, FIFA-n, UEFA-n, bashkëpunëtorë, sponsorë, tifozë si edhe ekipin Kombëtar shqiptar, që zhvilloi një paraqitje dinjitoze dhe bëri krenarë të gjithë shqiptarët në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.
“Sonte kemi privilegjin të kemi mes nesh Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama, Presidentin e FFK-së, Agim Ademi, futbollistin e mirënjohur spanjoll Gaizka Mendieta, kolegët e federatave të tjera sportive e shumë personalitete të botës së futbollit dhe jo vetëm – miq të çmuar që u uroj mirëseardhjen”, tha në çelje të fjalës së tij Duka.
Duka më tej shprehu mirënjohjen e tij për 27,000 anëtarët e përkushtuar në aktivitetin futbollistik 2024, Presidentë, sportistë, trajnerë, drejtues klubesh e akademish, stafe teknike, arbitra e sigurisht, administratën e FSHF-së për kontributin e jashtëzakonshëm gjatë këtij viti rekordesh historike, me 14.670 ndeshje futbolli të organizuara për 154 kampionate kombëtare e rajonale.
Duka vuri në dukje se “17 fusha futbolli janë shtuar këtë vit, 2 stadiume janë rikonstruktuar, por përsëri është pak. Në bashkëpunim me qeverinë do të shtojmë 5 stadiume të reja, në Durrës, Tiranë, Korçë, Vlorë e Kavajë.”, tha Duka
Kreu i FSHF, në fjalën e tij evidentoi se Shqipëria u shndërrua në mikpritëse të 13 turneve ndërkombëtarë.
“Dua të falënderoj UEFA-n që na besoi organizimin e 13 turneve zyrtarë ndërkombëtarë në vendin tonë, me pjesëmarrjen e 30 skuadrave europiane gjatë këtij viti, gjithashtu edhe për eventin madhor të besuar për 2025-n, Kampionatin Europian për 17-vjeçarët, që do të fillojë me ceremoninë e hedhjes së shortit në prill për 8 skuadrat e kualifikuara, e do te ngrejë siparin me ndeshjen hapëse në “Arenën Kombëtare” më datë 19 maj.
Jam shumë i sigurt që edhe ky event i rëndësishëm sportiv, si të gjitha organizimet e FSHF-së dhe me mbështetjen e të gjithë aktorëve e kryesisht të vullnetarizmit tashmë të kthyer në traditë për ne, do të jetë një kampionat model. Ju ftoj ta shijojmë e ta mbështesim skuadrën tonë që për herë të parë merr pjesë në finalet e një Kampionati Europian për moshat.”, tha Duka
Ai tha se Shqipëria ka vendosur kandidaturën e saj për të qenë një nga dy vendet mikpritëse për Kampionatin e Euro 2027 U-21, që do të merret nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s më 4 shkurt.
“Një nga objektivat tona si Federatë është të sigurojmë që Shqipëria të jetë e gatshme të presë turne sportive prestigjioze si ky, që kanë potencialin për të transformuar futbollin në vendin tonë e për të krijuar një trashëgimi të qëndrueshme për brezat e ardhshëm”, tha Duka.
Kreu i FSHF kujtoi gjithashtu se “në shtator, Tirana do të jetë mikpritësja e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, një ngjarje që konfirmon konsolidimin e Federatës si një nga partnerët më të çmuar të UEFA-s dhe pjesë e elitës së futbollit europian”.
Duka më tej falenderoi futbollistët kuqezi që ishin pjesë e kampionatit “EURO 2024”. Ai mbylli fjalën, duke theksuar se ëndrra është pjesëmarrja në Botërorin 2026.
“Grupet janë të forta, rruga është e vështirë, por asgjë e bukur nuk vjen pa shumë punë, dëshirë e përkushtim. Të gjithë ekipet e kanë lojtarin e 12-të, por i joni është më i miri, më i bukuri e më i pakursyeri, që nuk ju ka lënë KURRË vetëm, në momente suksesi e më pak suksesi. Në emër tuaj falënderime tifozëve të ekipit kombëtar”, tha Duka.
Ai mbylli fjalën e tij, duke theksuar se “kjo ditë nuk është vetëm një festë – është kurorëzim i gjithçkaje që kemi arritur së bashku dhe një moment për të bërë një premtim të ri: këtë vit, të ecim akoma më përpara, më të bashkuar, dhe me më shumë pasion për atë që duam.”
/a.f/