E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja e rrogave, një vendim i pandryshueshëm i kryeministrit Berisha

03-03-2013 / Gazeta 55

Shefi i mazhorancës, Sali Berisha, ka garantuar dje në Elbasan të gjithë arsimtarët se do të vijojë politika e rritjes së rrogave edhe për mandatin e ardhshëm qeverisës, paçka se për këtë kategori ishte siguruar dyfishimi i pagës gjatë dy mandateve të para qeverisëse. Spekulimet me taksën progresive e kanë burimin tek manifesti i Karl Marksit, por Edi Rama po synon ta zbatojë sipas parimit të sekuestrove e zhvatjeve, zbatuar nga Spiro Koleka
Deklarata/Praktika transparente në luftën antikorrupsion do ndiqet në të gjitha rrugët, që nga denoncimi i qytetarëve me telefon e deri tek e-maili 

Kryeministri Sali Berisha, takimin e radhës në kuadër të marrjes së mendimeve, opinioneve dhe sugjerimeve për programin Shqipëria e zhvilluar europiane, e zhvilloi dje me mësues dhe pedagogë të qarkut të Elbasanit.
Kreu i qeverisë shpalosi idetë dhe vizionin për zhvillimin e sistemit arsimor në katër vitet në vazhdim, dëgjoi me interes dhe mirëpriti çdo mendim dhe sugjerim për konsolidimin dhe avancimin e arritjeve në fushën e arsimit. Berisha theksoi se në të gjitha projektet ku synohet Shqipëria e zhvilluar, mësuesit janë në epiqendër të përpjekjeve të qeverisë.
Duke vënë në dukje shkallën e rritjes që kanë pësuar pagat e arsimtarëve dhe pedagogëve, kryeministri garantoi se rritja do vijojë sa kohë votohet e djathta në pushtet. Sipas tij, rritja e pagave të mësuesve do të bëhet çdo vit, por me paratë e taksapaguesve dhe jo të borxhit.
Kryeministri Berisha ka komentuar edhe propozimet e PS, rreth sistemit të taksave, duke deklaruar se Edi Rama spekulon me taksën e sheshtë, ndërsa duke mbështetur taksën progresive, frymëzimi vjen nga manifesti i Karl Marksit. Sipas kreut të qeverisë, me taksën progresive Rama tenton të implementojë taksën “Koleka”. “I ka mbetur mendja te daja i tij”, tha kryeministri Berisha.

Ne sot e prekim internetin në çdo shkollë, por dua t’ju pyesja a është menduar shfrytëzimi i këtij resursi në dixhitalizimin e orës së mësimit, veçanërisht të orës së gjuhëve të huaja?
Ju falënderoj për pyetjen. Po, është menduar dhe ka filluar. Projekti ynë në katër vitet që vijnë është kalimi nga kabinet informatike, në të gjitha klasat informatikë. Nga praktika internet dhe kompjuter në dy a tre kabinete që ka shkolla, në aplikimin e-learning në të gjitha kabinetet. Pak më shumë se dy muaj isha në gjimnazin “Ismail Qemali” në Tiranë. Një nga gjërat më mbresëlënëse, për mua, ishte kabineti i informatikës për gjuhën angleze. Mësuesja më shpjegoi se kjo platformë ishte e re dhe me sinqeritet më tha: në fillimin nuk kisha një pasion për këtë, përkundrazi, një hezitim e ndrojtje, por tani nuk shkëputem dot prej kësaj metode, sepse kjo platformë u jep mundësi nxënësve jo vetën në orën mësimit, por të qëndrojnë në lidhje on line edhe nga shtëpitë, për gjuhën angleze. Ne do të bëjmë gjithçka jo vetëm për gjuhën angleze, por për përdorimin më të thellë të metodave dixhitale në kurrikulat e lëndëve të ndryshme në shkollat e mesme dhe në shkollat nëntëvjeçare. Mësimi dixhital ka meritë të jashtëzakonshme, sepse qartëson në kohën në të shkurtër fenomenin a procesin, i cili më parë i kërkonte nxënësit mundim për ta imagjinuar dhe ndofta nuk arrinte ta imagjinonte ndonjëherë. Po në shkollën “Ismail Qemali”, në orën e biologjisë, natyrisht, duke ditur se unë jam kardiolog, kishin programuar funksionin e zemrës

Jam një drejtues i një shkolle profesionale në qytetin e Cërrikut. Ndjej admirim se janë bërë shumë arritje për arsimin, por më duhet t’ju kujtoj, a do jetë në vëmendje arsimi profesional në katër vitet e tjera, në rast se fitoni?
Unë ju falënderoj për problemin madhor që ngritët. Në rast se vështrojmë sistemin tonë para universitar, problemi më madhor i tij është raporti i papranueshëm i nxënësve në shkollat e përgjithshme me ata në shkollat profesionale. Në vendet e zhvilluara, ky raport është një me një. Dua të them se kjo krizë ekonomike botërore ka evidentuar si një nga problemet më madhore të shoqërisë së sotme perëndimore, me gjithë këto nivele që ka, mospërshtatjen në shkallën e duhur të forcës punëtore me kërkesat e tregut. Vend model në Europë e në botë, në këtë drejtim, është Gjermani, e cila mund t’i japë mësim gjithë botës me modelin e saj të shkollimit profesional. Por ata, krahas shkollës, kanë edhe një mençuri tjetër të madhe, që i detyrojnë ndërmarrjet, kundrejt shpenzimeve të njohura, t’u japin të drejtën e shkollimit profesional punëtorëve në cilëndo shkollë që duan. Ky është një shembull i shkëlqyer, që sa më parë ta ndërmarrim, aq më mirë do të jetë. E tërë jeta në kushtet e tregut, i cili ka një dinamizëm të pa imagjinueshëm, është një përshtatje e njeriut me kërkesat e tij dhe e tillë duhet të jetë. Ne jemi përpjekur shumë në këtë drejtim. Kemi marrë vendimin për të garantuar bursë për cilindo që çon fëmijën në shkollë profesionale dhe vetëm këtë vit ka një kthesë. Këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar, kemi një rritje me 20 për qind të nxënësve që hyjnë në shkollat profesionale. Dje një sipërmarrës i njohur në fushën e minierave më shkruante në një mesazh, se hapja e shkollës së mesme të minierave dhe gjeologjisë në Bulqizë është një domosdoshmëri e madhe. Dhe kjo është e vërtetë. Ne do të përqendrohemi me të gjithë potencialin tonë në arsimin profesional dhe zhvillimin e tij. Me ndihmën e qeverisë gjermane e zvicerane janë hapur disa shkolla shumë të mira dhe do të bëjmë çmos që këto modele t’i shtrijmë edhe në qarqe e qytete të tjera. Ne jemi të gatshëm të heqim çdo lloj shpenzimi për familjet që dërgojnë fëmijët në shkolla profesionale. Për fat të keq, një koncept jo favorizues ekziston tek prindërit, por edhe ne duhet të punojmë më shumë për t’i qartësuar ata se vërtet fëmijët e tyre mund të mbarojnë për elektricist, por ata do të ketë të drejtën të ndjekin 15 apo më shumë degë të universiteteve dhe nuk do të kufizohen me degën, me të cilën marrin maturën e shkollës profesionale. Shkollimi profesional mbetet një problem madhor, jashtëzakonisht i rëndësishëm për sistemin tonë arsimor.

Deri tani rritja e rrogave e pensioneve është e dukshme. Nëse fitoni, a keni një parashikim për rritje të rrogave deri në fund të vitit 2017. Pyetja e dytë, taksimi i saj do të bëhet me taksën e sheshtë apo progresive?
Kam qenë në opozitë dhe kam deklaruar se do të rris rrogat. Jam në qeveri dhe kam mbajtur premtim. Sërish do ta mbaj. Unë besoj se investimi në kapitalin njerëzor duhet të jetë investimi i parë i çdo qeverie dhe çdo shteti. Një zonjë më parë, me shumë të drejtë u shpreh se pak vite më parë, ato e kishim të vështirë të uleshim me miqtë për një drekë. Nga ana tjetër, pak vite më parë nga arsimi ikte kush të mundte. Tani nuk na ikën më njeri. Mësueset e mësuesit, natyrisht, meritojnë shumë më tepër, por tani kanë përkushtim dhe mendjen të qëndrojnë në misionin e tyre, të punojnë e zhvillojnë shkollën. Kështu që në mënyrën më të padiskutueshme, sa herë që të më votojnë shqiptarët, unë do të rris rrogat e pensionet. Një gjë duhet ta dinë qytetarët shqiptarë se në rritjet e rrogave e pensioneve të tyre, asnjë qindarkë e vetme nuk është borxh i këtij shteti ndaj kujt, është e tëra para e buxheti, e taksave të shqiptarëve. Po, janë rritur rrogat e mësuesve të nxënësve tanë dhe ato janë taksat e prindërve të tyre. Kjo në sajë të performancës ekonomike. Ne nuk tërhiqemi nga ky koncept. Lidhur me taksat, asgjë më vulgare dhe banale nuk ka, sesa të spekulosh me termat. Të dashur mësuese dhe mësues, ne jemi vendi i taksave të ulëta. Unë kam bindjen më të thellë se një nga faktorët më kryesorë, që ne ia dolëm të kemi 9.2 miliardë dollarë më shumë se qeveria paraardhëse, qëndron në sistemin e ulët të taksave. Është e vërtetë që mësuesi paguan 10 për qind, si edhe kryeministri paguan 10 për qind, por kryeministri paguan pesë herë më shumë se mësuesi, sepse rroga e kryeministrit është 4.5 rroga mësuesi. Pra, është spekulim të thuash se paguajnë njëlloj.
Së dyti, vërtetë taksa e sheshtë është 10 për qind. Më lejoni ta ilustroj me një shembull dhe po marr si referencë pagën e edukatores së kopshtit, e cila më parë kishte një pagë 200 mijë lekë dhe paguante një taksë 5 për qind, pra, gjithsej 10 mijë lekë. Sot, edukatorja merr 480 mijë lekë dhe paguan 48 mijë lekë taksë dhe i mbeten 430 mijë lekë. Atëherë cila është më e drejtë, kur paguante 10 mijë lekë taksë e merrte 200 mijë lekë rrogë, apo tani kur paguan taksë 48 mijë lekë dhe merr 430 mijë lekë? Sigurisht që është e dyta dhe nuk ka mësues që do të donte ta ndërronte. Ky sistem, ndër të tjera, synon të nxisë biznesin e punësimin, ky sistem synon të shmangë evazionin. Sot perëndimi është në kohë krize dhe sot katedrat e universiteteve kanë kryer studimet më të shkëlqyera për krizën, borxhin dhe taksat. Grupet e Harvardit dhe  grupe të tjera deklarojnë se taksa e sheshtë është taksa që i afrohet taksës ideale më shumë se çdo taksë tjetër. Për t’ju bindur se nga vjen taksa progresive, po citoj pikën e dytë të Manifestit të Karl Marksit. Pika e parë e Manifestit thotë: në vendet e zhvilluara duhet të aplikohet heqja e pronësisë mbi tokën. Pika e dytë: taksë e rëndë progresive. Me këto taksa, do ndërtojnë Shqipërinë?! I ka mbetur mendja tek daja i vet. Para se ta mbyll, me këtë rast, ju uroj mësuesve nxënësve prindërve gëzuar 7 marsin, ditën e tyre, ditë, në të cilën përulemi me nderimin më të madh para veprës e misionit të tyre fisnik. Faleminderit shumë për këtë bisedë që zhvilluam së bashku dhe ju garantoj se problematikat që diskutuam do të marrin që të gjitha pasqyrimin e tyre në veprimtarinë e qeverisë dhe në programin e saj të ardhshëm.

Së pari ju falënderoj për këtë takim informal, i cili tregon një për shkallë të lartë emancipim politik. Ju falënderojmë gjithashtu që u treguat kaq i hapur me ne. Unë jam mësuese e letërsisë dhe duke pasur informacion mbi pasionin tuaj për letërsinë, që ju keni qenë një lexues i pasionuar... Shkollat tona janë bërë shumë të bukura, interneti ka sjellë një emancipim të jashtëzakonshëm, por kërkesa ime për katër vitet në vazhdim do të doja të ishte një shtim në fondin për bibliotekat e shkollave. Ato duhen pasuruar, sepse fëmijët më shumë se kurrë kanë nevojë edhe për librin, krahas dixhitalizimit. Libri është domosdoshmëri...
Dhe mbetem i tillë. Ju garantoj edhe sot jam njëlloj. Nuk jam lëkundur nga pozicioni i një lexuesi. Është domosdoshmëri jetike. Ne kemi një fond të përvitshëm, kemi një komision me personalitete të shquara të letrave dhe të tjerë që përzgjedhin një listë librash. Ju garantoj se ky fond do të vijë në shtim dhe vetëm në shtim, sikundër do të bëjmë gjithçka edhe për shtrirjen e librarisë virtuale, në të cilën ju do të gjeni mijëra e mijëra tituj. Ka një gjë  shumë interesante libraria virtuale. Së pari, fondi i tërë, kundrejt detyrimeve, bëhet disponibël. Së dyti, për hir së vërtetës, edhe jashtë saj në qoftë se merr e-librin, një listë prej dhjetëra mijëra librash të shkëlqyer janë falas, mjafton vetëm të shkarkohen. Kështu do të ecim në të dyja drejtimet: drejt pasurimit të bibliotekave me titujt më të mirë që sugjeron ky komision dhe shtimit të fondit, si dhe drejt shtrirjes së librarisë virtuale në të gjitha shkollat, gjatë katër viteve që vijnë. Kjo e bën aksesin te libri, universal. Në këtë mënyrë do të lexohet duke e pasur librin në dorë (hard copy), do të lexohet në internet, pra, në të gjitha format.

Kam nderin të komunikoj me ju si drejtor i shkollës nëntëvjeçare në Bradashesh. Njëkohësisht sjell edhe përshëndetjet e komunitetit ku jetoj e punoj, si dhe një kërkesë të këtij komuniteti: a do të ketë një gjimnaz në Bradashesh?
Përgjigjja është qartësisht pozitive. Një përshëndetje të përzemërt komunitetit në Bradashesh dhe garanci të plotë se gjimnazi do të bëhet. Një gjimnaz shumë i mirë.

Jam doktor në shkencat politike. Do të doja të bëja një pyetje, pasi shoh se në lëndët në gjimnaz nuk ka shkenca politike apo diplomaci. Mendoni se duhet të futet si lëndë? Gjithashtu, lidhur me historinë, në një farë mënyre ende vazhdon të flitet për Enver Hoxhën dhe komunizmin dhe akoma shohin shtrembër bustin e Ahmet Zogut apo Lef Nosit...
Natyrisht, njohuritë politike janë shumë të rëndësishme. Njeriu, në mënyrë të padiskutueshme është politik. I çfarëdo bindjeje qoftë, edhe ai që është i vendosur të mos anësojë me ndonjë parti politike, sërish ka qëndrimet e veta politike ndaj tyre dhe ndaj zhvillimeve. Në këtë kontekst, njohuritë politike duhet të jenë pjesë e njohurive në shkencat shoqërore. Këto shkenca si psikologjia, sociologjia kanë pasur një fat të veçantë: më parë kanë qenë në tërësi doktrina të ndaluara. Por tani, ato po zënë vendin e tyre. Në kuadrin e shkencave shoqërore jam dakord me ju, të jepen edhe njohuri politike.
Për sa u përket qëndrimeve ndaj historisë, në disa çështje është e vështirë të bësh përgjegjës qytetarin, sepse përpjekjet e studiuesve nuk kanë qenë në nivelin e duhur për dokumentimin e historisë. Pak më parë, një zonjë më tha që unë lexoj. Po, kam pasion leximin dhe historinë dhe për shumë kohë kam ndjerë keqardhje të thellë në shpirt, pasi mund të njihesha shumë më mirë e më plotë me historinë e një kombi e vendit tjetër, sesa historinë  e vendit tim. Kjo, sepse për periudha të tëra, ajo ishte e ndaluar. Dokumentet ishin të rezervuara, nuk jepeshin, nuk botoheshin libra. Unë doja të lexoja libra dhe nuk mund të kthehesha në studiues arkivi, pasi nuk isha historian. Po ashtu edhe qytetarët e tjerë. Por a po ndodh një ndryshim rrënjësor? Po, po ndodh një ndryshim rrënjësor. Të gjithë e kemi përjetuar me një ndjenjë legjitime krenarie 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, kontributin e Elbasanit, kontributin e të gjitha trevave shqiptare. Por ju garantoj se një nga zhvillimet më pozitive të atij 100 vjetori janë dokumentet, artikujt, debati dhe librat që u shkruan për të vërtetat historike tonat. Të vërteta, të cilat do t’u shërbejnë shqiptarëve, sepse e shkuara ka anën e saj dhe të shërben për të nxjerrë mësime dhe për t’u përpjekur për një të ardhme më të mirë. Kështu që sot mund të themi se çdo njëri prej jush, në rast se do dhe e ka pasion, mund të ketë këndin e ngushtë apo të gjerë, sipas pasionit të tij, të librave të mrekullueshëm për historinë e kombit dhe vendit të tij, së paku të 100 viteve të fundit. Natyrisht, këto do të ketë efektin e tyre pozitiv, do t’i njohin qytetarët me të vërtetat historike të kombit, vendit, të krahinës së tyre dhe do t’i japin një kuptim të ri historisë së vendit tonë.

Unë jam mësues në shkollën e mesme në Belsh. Për koincidencë, në fillim ju thatë se kishit bërë një vizitë në gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë, por edhe gjimnazi ynë ka këtë emër, për të identifikuar këtë rilindës të madh që ka bërë të njohur edhe zonën e Belshit. Si person e kam ndjerë si përgjegjësi personale, por sot jam këtu edhe në emrin e të gjithë nxënësve e mësuesve të shkollës për një problem, atë të rikonstruksionit të shkollës së Belshit, që përfaqëson një trevë të madhe. Të gjithë nxënësit e mësuesit më kanë kërkuar që në këtë takim ta bëj këtë kërkesë. Besoj se mund të na premtoni diçka, pasi ndryshimi në zonën e Belshit duket, punimet që po bëhen në hyrjen e Belshit, por edhe në gjithë zonën, në Kosovë etj., në rrugët e kësaj zonës. Në emër të nxënësve na e merrni në konsideratë edhe këtë kërkesë...
Plotësisht. Edhe unë ju përshëndes juve, kolegët e t’u dhe nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” dhe ju siguroj se do të bëhem avokat pranë Ministrisë së Arsimit, që ai gjimnaz të rindërtohet në  parametrat më të mirë. Ne sot jemi mbledhur për arsimin, por siç e thatë vetë, ne po investojmë në të gjitha anët. Në zonën e Belshit dhe në të gjithë qarkun e Elbasanit, ne po bëjmë investime të shumta në infrastrukturë. Tuneli është në momentet e fundit dhe këtë pranverë inaugurojmë rrugën, e cila ndryshon shumë Elbasanin, por edhe Tiranën, pasi sjell Elbasanin afër Tiranës, por edhe Tiranën afër Elbasanit.

Unë desha të di, nëse në mandatin tuaj të ardhshëm, a mund të futen qoftë edhe si orë fakultative, njohuritë për luftën kundër korrupsionit, të përparësive, të mirave e detyrimeve që ne kemi karshi statusit të BE-së?
Absolutisht është e domosdoshme, madje është detyrë që në shkollë të merret informacioni më i gjerë për standardet, normat, kërkesat që nevojiten për të qëndruar me dinjitet midis kombeve të qytetëruara. Ju prekët një nga çështjet më themelore, korrupsionin. Unë dua t’ju garantoj se në bindjen time më të thellë, më absolute, në luftën kundër këtij faktori qëndron çdo sukses tjetër dhe se ky faktor është nëna e të gjitha të këqijave të tjera. Por, meqenëse po e trajtoj këtë problem, unë e kam konsideruar dhe e konsideroj jetike luftën kundër tij. Po referohem të ardhurave. Këto kanë qenë vitet e krizës më të thellë që ka njohur bota perëndimore. Krizë, e cila ka ndikuar në ekonominë shqiptare, ndonëse ajo nuk ka rënë në krizë. Nga viti 2006 e deri më sot, ne edhe pasi përgjysmuam taksat, kemi mbledhur 9.2 miliardë dollarë më shumë, sesa paraardhësit tanë. Ka një raport të Bankës Botërore që thotë se 1.4 miliardë dollarë nga taksat e tatimet çdo vit përfundonin në xhepat e zyrtarëve, kontrabandistëve dhe evazorëve. Me këto 9.2 miliardë dollarë më shumë, ne ndërtuam rrugë, dyfishuam rrogat, zhvilluam shoqërinë dixhitale, pa të cilat nuk do mund t’i arrinim të gjitha këto, përndryshe, ambiciet tona do të ishin ambicie në letër. Duke theksuar këtë, a do të thotë kjo se kjo luftë mbaroi? Absolutisht jo! Përkundrazi, do të thotë se në këtë stad, një nivel shumë më i lartë, një përpjekje e re e madhe duhet bërë në luftën kundër tij. Ç’po bëjmë ne? Reformat tona, në mënyrë të veçantë ato bazuar në procedurat dixhitale, sjellin transparencë dhe bëjnë që procesi të jetë i dukshëm. Dua t’ju jap një të dhënë. Para rreth 1 vit e gjysmë isha në Kombet e Bashkuara. Aty u bë një takim i veçantë me një grup vendesh, ndër to edhe Shqipëria, për një nismë të Presidentit Barack Obama dhe Presidentes së Brazilit Dilma Rousef, e quajtur: Qeveria e hapur. Kjo nismë ka rreth 46 objektiva. Në fakt, po t’i shohësh objektivat, ne kemi punuar në mënyrën më serioze. Në atë takim, një nga kërkesat ishte që thesari të botonte të nesërmen, çdo shpenzim që bën në shkallë vendi dhe vetëm dy vende e bënin këtë. U ktheva dhe i kërkova ministrit të Financave si ta realizojmë që edhe ne të botojmë në faqen zyrtare të thesarit, çdo qindarkë që shpenzohet sot në shkallë vendi. Ministri e mbështeti dhe brenda një muaji kjo u bë. Në fakt, ne e bëmë këtë, por nuk janë njohuritë se ai ekziston, nuk janë njohuritë për leximin e tij. Ndaj është e domosdoshme që të përpiqemi të japim çdo element që të fuqizojë qytetarin, se, në fund të fundit, kjo luftë është e vështirë dhe krahas vullnetit të hekurt të qeverisë dhe institucioneve, kërkon edhe një vullnet të hekurt të qytetarëve. Në rast se qytetari nuk e denoncon, por e përdor si një mekanizëm për të zgjidhur sot një problem, duke harruar se nesër kjo do të kushtojë shumëfishin, ky fenomen është vështirë që të zhduket. Në rast se qytetari qartësohet se çfarë rëndësie jetike ka kontributi i tij në luftën kundër korrupsionit, unë ju garantoj se ne mund të arrijmë në nivele korrupsioni ndër më të ulëtit që ekzistojnë. Ne po vendosim praktikat më transparente që ekzistojnë. Ju shumë shpejt do të njiheni me një sistem tjetër, sistemin e ankesës së përgjithshme dhe i kërkesës së përgjithshme. Kjo do të thotë se çdo qytetar i këtij vendi, nga të katër anët, me celular, me e-mail apo telefon zanor do të bëjë kërkesën, denoncimin apo ankesën dhe do të ndjekë të gjithë rrugën e tyre deri në destinacion dhe do të ketë mundësi të verifikojë e të ndjekë se cili është qëndrimi i punonjësit a zyrtarit ndaj kërkesës së tij.

Jam psikologe në Qendrën e Autizmit në Elbasan. E mora fjalën për t’ju falënderuar dhe për të bërë një kërkesë. Në radhë të parë, falënderoj zonjën Liri Berisha që mori iniciativën e hapi një qendër të tillë në qytetin e Elbasanit, ju falënderoj juve për mbështetjen dhe Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Kjo Qendër ishte një ndihmesë e madhe jo vetëm për ne si psikologë, për punësimin tonë, pasi kjo qendër në fillim kishte 5 psikologë dhe tani ka 15, por kjo qendër u ka ardhur në ndihmë mjaft familjeve në nevojë, që kanë fëmije me këtë çrregullim. Ne jemi munduar që këto fëmijë t’i integrojmë edhe në kopshte. A do mundet që këto fëmijë të integrohen si fëmijët e tjerë edhe në shkolla?
Përgjigja ime është pozitive. Unë dua të shpreh nderimin tim më të madh për ju, për punën e madhe, të shkëlqyer, që bëni. Para një jave, unë prita në zyrë një nga shkencëtaret më të shquara të planetit në fushën e autizmit, e cila ka bërë studimin e fundit mbi të, studimi më shpresëdhënës në mjekimin e këtij çrregullimi. Është në sajë të punës suaj që në një kohë të shkurtër problemi u arrit të dalë në skenë, sepse fatkeqësia më e madhe ishte se ky problem nuk njihej, përfshirë këtu edhe kryeministrin e vendit. Unë dua të jem i sinqertë me ju. Kur Lili filloi të flasë për këtë çrregullim - unë e njihja si fenomen nga shkolla, por vetëm në libra, pasi nuk na ishte treguar as edhe një rast i vetëm - i thashë se mos po e ekzagjeronin, në mënyrë që të mos krijonin frikë tek nënat. Këto ishin njohuritë e mia shumë pak vite më parë, por sot ky është problem madhor dhe më vjen shumë mirë që keni arritur të ndihmoni e mbështesni familje nga të katër anët, edhe nga zonat e thella. Siç e dimë, problemi më kardinal është diagnoza sa më e hershme e tij. kjo përbën edhe premisën më të shkëlqyer për normalizimin këtyre fëmijëve, ndjekjen e shkollës e të gjitha. Ministria e Shëndetësisë do të bëjë që çdo pediatër të ketë testin për autizmin, test që duhet t’i bëhet fëmijës që në fazën më të hershme, për ta konsideruar në ka apo jo një çrregullim të tillë. Të gjithë ata që kapen herët, absolutisht kanë shanse për shkollë normale. Në Tiranë, në mos gaboj, 13 prej tyre kanë shkuar në shkolla dhe sipas të dhënave që kam, po shkojnë shumë mirë. Duhet të bëhet gjithçka që të ndihmohen edhe mësuesit, pasi ata fëmijë kanë një problem por jo për mungesë intelekti, por se kanë një ngadalësim të madh në përcjelljen e impulseve. Unë them se duhet të shkojnë në shkolla dhe siç punoni ju, edhe mësuesit me humanizëm duhet ta dinë se shkollimi i një fëmije autist është shpëtimtar, pasi në rast se atë e lë në tunel edhe e përjashton, i bën një dënim të pamerituar një fëmijë. Ndaj, ne jemi për shkollimin e tyre. Po ashtu do të bëjmë gjithçka me pediatrit, të cilët në kontrollet e tyre periodike, që në moshën 18 muaj kur fillojnë belbëzimet e para, t’i kontrollojnë edhe për autizmin. E vërteta është se në një kohë të shkurtër është arritur të bëhet shumë në evidentimin dhe mjekimin e tij. Qendra të autizmit ka edhe në Shkodër, Vlorë, Korçë dhe do të hapen edhe në qytete të tjera. Ky çrregullim ka edhe një problem tjetër madhor: askund nuk është integruar plotësisht në sistemin shëndetësor. Ndaj duhet të gjendet mënyra e integrimit. Unë kam gjithashtu shumë mirënjohje për biznesmenët që paguajnë për ata që nuk kanë, por edhe qeveria duhet të paguajë për ata që nuk kanë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›