Rritja e sigurisë rrugore – ARRSH ndërhyrje pranë shkollave në prag të vitit të ri shkollor

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka filluar ndërhyrjet për rritjen e sigurisë rrugore pranë shkollave që ndodhen përgjatë rrugëve kryesore. Punimet përfshijnë rifreskimin dhe plotësimin e sinjalistikës vertikale e horizontale, vendosjen e kufizimit të shpejtësisë, shenjave paralajmëruese dhe vijave të bardha në vendkalimet e këmbësorëve. Këto masa janë të domosdoshme për të garantuar sigurinë e nxënësve gjatë lëvizjes së tyre në rrugë.
“Aktualisht kjo sinjalistik ka qenë ekzistuese por lind nevoja e rifreskimit i cili është i përvitshëm”, u shpreh Oltion Zhamo, Përgjegjës sektori në Drejtorinë e Rajonit Qendër-Lindje, Korçë ARRSH.
Banorët e zonave ku po kryhen ndërhyrjet i kanë mirëpritur këto masa, duke theksuar se ato rrisin sigurinë jo vetëm për fëmijët, por edhe për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar apelon për respektimin e sinjalistikës dhe rregullave të qarkullimit rrugor, duke kujtuar se kujdesi dhe përgjegjësia e drejtuesve të mjeteve janë thelbësore për të mbrojtur jetën e fëmijëve dhe të gjithë këmbësorëve.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/