E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e taksave, shpërthim në çmimet e apartamenteve

Ndërtuesit i kanë kërkuar qeverisë që të ulet në bisedime për përmirësimin e taksave vendore, pasi ato pritet të sjellin krizë në ndërtim

Hartimi i ndryshimeve fiskale nga qeveria në mungesë të diskutimeve me grupet e interesit, tashmë është kthyer një fenomen në kurriz të biznesit dhe taksapaguesve. Ndryshimet e fundit të qeverisë për rritjen e taksës së apartamenteve, ndikimi në infrastrukturë dhe në qarkullimin e automjeteve, pritet të sjellin krizë në sektorin e ndërtimeve dhe të strehimit. Paralajmërimet mbi efektet negative të zbatimit të këtyre ndryshimeve janë paralajmëruar dje nga Shoqata e Ndërtuesve. Nëndrejtori ekzekutiv i shoqatës, Ilir Hebovija, në konferencën e djeshme për shtyp tha se projektligji për ndryshimet në taksat vendore është hartuar pa marrë asnjë mendim nga Shoqata e Ndërtuesve dhe grupet e tjerë të interesit. Hebovija tha në emër të Shoqatës së Ndërtuesve, se sektori i ndërtimit po detyrohet të kalojë në një krizë të thellë, për shkak të faktorëve që nuk varen nga ai, por nga politikat fiskale aspak të drejta që ndërmerren ndaj tij. “Në rastin më të fundit, në këtë projektligj janë parashikuar aplikime për rritjen e tri taksave, për të cilat kërkohet parapagim, duke rritur në mënyrë të ndjeshme kostot e ndërtimit dhe duke ulur aftësitë financiare praktike të biznesit. Me këtë rritje të detyruar të çmimeve për shkak të politikave fiskale aspak të favorshme, deklarojmë që strehimi në Tiranë, por edhe në rrethe do të jetë i pamundur për qytetarët”, tha Hebovija, duke shtuar se rritja e taksave do të sjellë rëndim në koston e këtij sektori. Ndërtuesit argumentojnë se ata janë kundër rritjes së nivelit të taksës së ndikimit në infrastrukturë nga 4 në 6 për qind, rritjes së taksës së regjistrimit të përvitshëm të mjeteve, si dhe futjes së një detyrimi të ri të taksës së truallit urban për mënyrën si kërkohet të paguhet dhe qëllimi i përdorimit të tyre pa përfillur kërkesat e kësaj përfaqësie. “Janë me qindra milionë euro që kërkohen t’i merren industrisë së ndërtimi,t e cila është kthyer në një shënjestër të lehtë për sistemin e taksave. Në këtë periudhë kanë pësuar rritje të ndjeshme deri në dyfishim të tyre të gjithë çmimet e materialeve bazë të përdorura nga industria e ndërtimit”, pohon nëndrejtori ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve, Hebivija. Sakaq, ndërtuesit kanë nisur bisedimet me institucionet qeveritare, për t’i hapur rrugë zhvillimit të këtij sektori, ku sipas tyre, po gjendet përballë goditjeve të panevojshme dhe të dëmshme fiskale. Nisur nga kjo situatë, ndërtuesit i kanë kërkuar qeverisë që të ulet sa më parë në tavolinën e bisedimeve për të diskutuar projektligjet që në fazën e hartimit, në mënyrë që të mos gjendemi para fakteve të kryera. Ndërtuesit kanë pohuar se bashkë me ta do të bashkohen edhe grupimet e tjera të biznesi,t në lidhje me vendimet antibiznes që po ndërmerren kohët e fundit.

Strehimi, i pamundur

Shoqata e Ndërtuesve ka paralajmëruar se rritja e taksave do të sjellë rritje në çmimin e apartamenteve. Këta të fundit argumentojnë se rritja e çmimeve për shkak të politikave fiskale të qeverisë, nuk do të mund të zbusin as krizën e strehimit. “Në rastin më të fundit, në këtë projektligj janë parashikuar aplikime në rritjen e tri taksave, për të cilat kërkohet parapagim, duke rritur në mënyrë të ndjeshme kostot e ndërtimit dhe duke ulur aftësitë financiare praktike të biznesit. Me këtë rritje të detyruar të çmimeve për shkak të politikave fiskale aspak të favorshme, deklarojmë që strehimi në Tiranë, por edhe në rrethe do të jetë i pamundur për qytetarët”, shpjegoi Hebovija.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›