Rritja e të ardhurave, jo vetëm nga çmimet! Fiskalizimi po përmirëson administrimin fiskal, duke rritur të hyrat fiskale

Autoritetet fiskale arrijnë të mbledhin rreth 4 për qind më shumë të hyra fiskale nga planifikimi buxhetor. Diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve, nga një deficit prej rreth 30 miliardë lekësh në 7 muajt e parë të vitit 2021, në këto shtatë muaj ka kapërcyer në një suficit prej më shumë se 15 miliardë lekësh, pra rreth 45 miliardë lekë më shumë në arkën e shtetit. Kjo ndodh për herë të parë në financat publike dhe është mundësuar nga të hyra fiskale, shumë më të lartë se periudhat respektive të viteve të mëparshme. Po a është kjo rrjedhojë vetëm e rritjes së pandërprerë të çmimeve në tregun ndërkombëtar dhe atë të brendshëm?
Dy administratat fiskale, së bashku, kanë arkëtuar 16 miliardë lekë më shumë se planifikimi buxhetor vjetor, i korrektuar me aktet normative të vitit 2022. Vetëm nga tatimi mbi vlerën e shtuar, një taksë fundore që paguhet nga konsumatori shqiptar, janë arkëtuar 6,5 miliardë lekë më shumë se plani për 7 mujorin 2022.
Shqiptarët kanë paguar si pjesë të rritjes së çmimeve brenda vendit për 7 muaj vetëm 721 milionë lekë më shumë, se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 7 mujorin 2022. Pjesë tjetër e këtij tatimi është rrjedhojë e çmimeve të importit, që tregojnë ndikimin e lartë që jep për portofolin e shqiptarëve, importi i mallrave dhe shërbimeve.
Por në një analizë të detajuar, rritja me më shumë se 4 për qind e të ardhurave nuk rezulton të jetë pjesë vetëm e rritjes së çmimeve në import apo brenda vendit.
Të ardhurat tatimore, sidomos tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT etj., për 7 mujorin e parë të 2022 u realizuan në masën 10.5 miliardë lekë. Këto do të ishin më të larta, nëse do të ishte realizuar edhe taksa e akcizës, që është 2,8 miliardë lekë më pak se planifikimi për 7 mujorin, apo të ardhurat personale ku mungojnë 443 milionë lekë për të njëjtën periudhë.
Vetëm nga fiskalizimi, sipas ekspertëve, në mbledhjen e TVSH-së janë regjistruar rritje nga 10-15%, krahasuar me të ardhurat nga TVSH-ja, përpara aplikimit të këtij sistemi. Gushti pritet të ndryshojë në rritje këta tregues, duke i mundësuar qeverisë të ardhura të mjaftueshme, për të mbështetur shtresat që ka goditur kriza nëpërmjet çmimeve gjithnjë në rritje. Dhe pensionistët janë më të dëmtuarit në kategoritë e mësipërme.
/rtsh.al/