Rritja ekonomike konfirmohet

Banka e Shqipërisë parashikoi një ditë më parë se ekonomia e vendit do të rritet në 3-mujorin e dytë te këtij viti me ritme më të shpejta se në të parin. Një tremujor më parë kjo rritje, sipas të dhënave zyrtare ishte 5.5%, nga 2.4% në tremujorin e katërt 2020. Tregues që nuk ishte parashikuar si i tillë nga asnjë institucion që ndjek dhe mbikqyr ekonominë shqiptare.
Fondi Monetar Ndërkombëtar, si një institucion mjaft konservator në parashikimet globale, nuk iu afrua këtij treguesi.
Po cilat janë faktorët që e optimizojnë kaq tepër ekonominë shqiptare, që vijon të mbetet në kushtet e krizës së pandemisë?
Analistët rendisin disa prej tyre, që janë duke nxitur dinamikat pozitive të aktivitetit ekonomik në vend.
Sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, rritja e eksporteve dhe importeve, lëvizjet e shtetasve dhe statistikat fiskale mbështesin këtë vlerësim. Banka e bazon pritjet e saj në rritjen e fortë të lejeve të ndërtimit, mbështetur edhe nga efekti i rindërtimit. Në tremujorin e parë të vitit 2021 rritja ekonomike rezultoi 5.5%,.
Banka argumentoi se, zgjerimi në ndërtim vlerësohet të ketë reflektuar një vëllim më të lartë në tre kategoritë kryesore: ndërtime të reja, rikonstruksione dhe punime inxhinierike.
Sipas këtij autoriteti, kushtet e reja ekonomike dhe gjeopolitike të krijuara nga pandemia mund të kthehen në një burim mundësish për ekonominë shqiptare, nëse biznesi, grupet e interesit dhe qeveria do të mund t’i shfrytëzojnë këto shanse pa humbur kohë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rritur optimizmin që ekonomia shqiptare do të arrijë nivelin e parakrizës brënda vitit 2021. Asnjë institucion tjetër ndërkombëtar që monitoron ekonominë shqiptare nuk ka shfaqur një optimizëm të tillë për ecurinë ekonomike të vendit. Madje Banka Botërore, Komisioni Europian apo edhe Banka për Rindërtim dhe zhvillim e kanë shtyrë deri në vitin 2023 arritjen e treguesve të vitit 2019.
Në të dhënat e publikuara të Pasqyrës Ekonomike Globale të prillit, FMN parashikon që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB), me çmime korente në 2020-n të arrijë në rreth 17.1 miliardë lekë, duke e tejkaluar nivelin e para pandemisë.
Më realistë në parashikime duket se janë vetë shqiptarët. Ekspertët e Ministrisë së Financave, kanë hartuar tre skenarë për ecurinë ekonomike të vendit deri në vitin 2025, duke parashikuar se çfarë ndodh nëse vendi ecën më mirë apo më keq se pritshmëritë bazë.