Rritja me 7% e pagave për ushatarakët, Rama: Së shpejti mesatarja e pagave si NATO. Të rinjtë t’i bashkohen FA-ve

Pas hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë për rritjen me 7% të pagave të ushtarakëve, Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje të rinjve që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura. Kreu i qeverisë deklaroi se pagat e ushtarakëve shumë shpejt do të arrijnë mesataren e pagave të NATO-s.
“MIRËMËNGJES dhe me ftesën për t’u bërë pjesë e 400 mundësive të reja të punësimit në Forcat e Armatosura Shqiptare, duke aplikuar në https://www.mod.gov.al/rekrutim, pas rritjes së vijueshme të pagave për rreth 7 mijë ushtarakë, të cilët tanimë janë ndër më të paguarit në rajon, po do të jenë jo shumë larg nga sot në mesataren e pagave të NATO-s, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.
Një ditë më parë (1 mars), Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi se ushtarakët do të trajtohen me pagë në mënyrë dinjitoze, dhe se synimi i qeverisë, është arritja e mesatares së vendeve të NATO-s.
“Rritja e pagës prej 7% nga sot për të gjithë ushtarakët, nga ushtaraku bazë deri te gradat më të larta. Rritja e pagave nuk është më fenomen spontan por i përvitshëm. Derisa ushtarakët të trajtohen më pagë në mënyrë dinjitoze. Edhe sot nivelet janë dinjitoze por duam të arrijmë mesataren e NATO-s”, tha Peleshi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ndërsa bëri me dije se nga 2 marsi, në qendër të Tiranës do të vendoset pika e lëvizshme e rekrutimit për ushtarë të rinj.
/rtsh.al