Rritje e arsimit profesional në Lezhë, të rinjtë zgjedhin Turizmin dhe Teknologjinë e Informacionit

Nevoja për punëtorë të kualifikuar po shtyn gjithnjë e më shumë të rinjtë në Lezhë që të zgjedhin shkollimin profesional.
Vetëm këtë vit, në shkollën “Kolin Gjoka” janë regjistruar mbi 100 nxënës të rinj, ku më të preferuarat janë degët Ekonomi, Turizëm dhe Teknologji Informacioni e Komunikim (TIK).
“Ditën e parë gjithçka do të jetë gati me standardet më të larta. Regjistrimet kanë vazhduar dhe mbyllen më 30 shtator. Degët prioritare, si çdo vit, kanë qenë edhe TIK dhe Hoteleri-Turizëm, por nuk ngelen pas as Ekonomi Biznesi, Shërbimi Social-Shëndetësor dhe Teknologjia Ushqimore,” thotë Bardh Dedgjonaj, drejtor i shkollës “Kolin Gjoka”.
Drejtori shpjegon se kërkesa e tregut është më e madhe se numri i atyre që diplomohen, çka u siguron nxënësve punësim të shpejtë dhe shpesh i kthen ata si trajnerë për bizneset.
“Nxënësit shkojnë në biznese në vit të tretë deri në tri ditë në javë. Ata punësohen dhe paguhen sipas ligjit, por edhe nxënësit e drejtimeve dhe klasave më të ulëta janë të punësuar gjatë ditëve të praktikës dhe pas dreke. Më e rëndësishmja është profesioni që marrin, që do u shërbejë për veten, familjet e tyre dhe për shoqërinë,” thekson z. Dedgjonaj.
Shkolla “Kolin Gjoka” numëron rreth 450 nxënës, ndërsa çdo vit diplomohen deri në 150 prej tyre. Ky trend tregon qartë orientimin e të rinjve drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme në tregun e punës.
/rtsh.al/