Rrjedhë e turbullt
Nga traditë, pasion dhe histori, futbolli ynë në këto vite të para të këtij shekulli është kthyer në një rrjedhë ujërash të turbullta e për më tepër të pista, që vetëm sa e ndotin gjithnjë e më tepër mjedisin përreth. Të shohësh rrokullisjen masive të të boshatisurit të stadiumeve për çdo ditë e javë, aq sa është e vështirë të gjesh në tribunat e tij të nxirosura ndonjë njeri me mend në kokë që të ndjeki një ndeshje tonën, neveritëse në tërë përbërësit e saj, kjo nuk është veçse dalje jashtë kontrollit e këtij sporti - prej disa njerëzve që duke bërë sehirxhiun, kënaqin ndërkohë epshet e tyre pushtetore, larg çdo ndjesie të publikut të shpërfillur e të përbuzur prej tyre. Realiteti është i pamëshirshëm dhe zbulimit të tij nuk mund t’i fshihen as ata lakej që u lëpihen për çdo ditë, faqe gazetash e vrima ekranesh, bosëve të tyre trashaluqë, kur shohin që edhe një stadium si ai i Beratit, komoditeti dhe frekuentimi i dikurshëm i të cilit detyronte për të luajtur atje edhe ekipet përfaqësuese, sot i ka kthyer tribunat e tij në shkretëtira të vërteta prej mungesës së tifozëve, siç ndodhi edhe javën e shkuar, edhe pse skuadra vendase ndeshej me kampionen e vendit! Një gjendje të tillë mjerane e skandaloze të boshatisjes së stadiumeve gjatë ndeshjeve të kampionatit, e pamë gjatë javës së kaluar edhe në qytete të tillë si Tirana apo Durrësi, përfshi këtu edhe Shkodrën, metropole të vërteta të futbollit shqiptar, që përkundër mrekullisë së dikurshme të pranisë së plotë dhe entuziaste të spektatorëve, tani na kanë “shpikur” disa grupe lakuriqë-tifozësh, që bërtasin e çirren duke i kthyer shpinën fushës së lojës, gjë që më shumë se sa përkrahje apo inkurajim, ngjan si një protestë ndaj asaj shfaqjeje të shpifur që luhet ndërkohë në atë skenë, mbushur plot sharje nga më të ndyrat...!
- Shteti ia ka falur “Qemal Stafën” federatës së futbollit(!?), - dëgjuam të na thotë këto ditë ministri përkatës, duke na e pështjelluar edhe më shumë këtë histori dështimi e të tejzgjatur të stadiumit më të madh e më të mirë të vendit, të cilin, në vend të ruajtjes dhe rikonstruktimit të tij, kërkojnë ta prishin, për të hapur një tjetër plagë urbanistike në mes të kryeqytetit! Dhe, si për ta bërë më të turbullt gjithë këtë mesele, ky stadium “i ri”, kapacitetin e tij do t’na e ketë prej 17 mijë spektatorësh, pra më të vogël se sa ky ekzistuesi!? Atëherë, lind pyetja se për çfarë na u dashka një stadium më i vogël, kur tjetri i plotëson për bukuri kushtet, aq sa aktualisht aty po luhen edhe ndeshjet e Kombëtares për gara të rëndësishme botërore? A nuk do të ishte më mirë që ato para të cilat kërkojnë t’i harxhojnë për të shkaktuar rrënoja në qendër të Tiranës, t’i përdorin për ta bërë më komod stadiumin në fjalë, si dhe ato të shumë qyteteve të tjera, gjë që do të ishte edhe një lloj reklame më e mirë për tërheqjen e spektatorëve nëpër tribunat e tyre, sidomos të femrave, që në gjendjen e sotme nuk kanë kurrsesi përse të shkojnë e të torturohen për më shumë se dy orë në një mjedis që sapo e shikon të vjen të qash me oiiii?! Vendosja në disa stadiume e projektorëve dhe mbjellja e herëpashershme e fushave me bar të cilësisë së dobët, (pasojë e tenderave fitimprurës), i ka “ndriçuar” edhe më keq dobësitë dhe mjerimin e atyre mjediseve, që jo vetëm nuk e kanë shtuar numrin e tifozëve, siç pretendonin kokëmëdhenjtë e kësaj ideje, por shfaqin ndërkohë një imazh edhe më të pështirë të pjesëve pas portave, si në Kavajë e Fier, për të mos numëruar qytetet e tjera me infrastrukturë po kaq të shëmtuar, që për këtë shkak u kanë dhënë munxën spektatorëve për të qenë sa më larg tyre.
Rrjedha e futbollit tonë vazhdon të bëhet më e turbullt, javë pas jave. Prurjet e saj shtohen jo vetëm nga kampionati, por edhe nga ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, që veç formalitetit të zhvillimit të tyre e spekulimit me to, siç ndodhi edhe këtë herë me “derby-n” e kthimit, që u plasi në dorë organizatorëve për falsitetin e gjithçkaje që ata më kot parashikuan, si “rilindje” të lavdisë së dikurshme, sollën edhe përmbytje të tjera që për drejtuesit sehirxhinj dhe lakenjtë e tyre nuk përbëjnë më asnjë shqetësim. I tillë ishte edhe bojkotimi i ndeshjes nga “Gramozi” i Ersekës, pa asnjë shkak madhor, por vetëm se kështu, anormal, primitiv dhe pa ligje funksionon ky futbolli ynë! Dhe, si për t’ia shtuar edhe më shumë turbullirën kësaj rrjedhe, që po përshkohet prej vitesh mes nesh, vjen edhe një deklaratë prej të parit të qeverisë për sportin, i cili pranoi këto ditë se, në stadiumet tona edhe dhuna ka arritur në nivele të papranueshme, duke pasur parasysh një arbitër që javën e kaluar u sulmua egërsisht në fushën e lojës, si shumë të tjerë para tij...
(er.nu/GSH/BalkanWeb)