Rrjedhjet e Pentagonit: SHBA mendon se Kreu i OKB-së ishte i gatshëm për akomodimin e interesave ruse

Rrjedhja e informacioneve sekrete amerikane kanë zbuluar se SHBA-të besonin se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së po tregohej i gatshëm për akomodimin e interesave rusë.
Sipas këtyre zbulimeve të reja, dokumentet e klasifikuara sugjerojnë se Uashingtoni ka monitoruar nga afër Antonio Guterres ndërsa përshkruajnë komunikimet private mes tij dhe zëvendëses së tij, Amina Mohammed, raporton BBC.
Në të, Guterres shpreh “zhgënjim” për një thirrje nga presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, që Evropa të prodhojë më shumë armë dhe municione si rezultat i luftës në Ukrainë.
Të dy flasin gjithashtu për një samit të fundit të liderëve afrikanë. Amina Mohammed thotë se presidenti i Kenias, William Ruto, është “i pamëshirshëm” dhe se “nuk i beson atij”.
Dokumentet përmbajnë vëshgimet që i janë bërë Guterres lidhur me luftën në Ukrainë, marrëveshjen e grurit të Detit të Zi, të ndërmjetësuar nga OKB-ja dhe Turqia në muajin korrik.
“Guterres ishte aq i prirur për të ruajtur marrëveshjen sa ai ishte i gatshëm të akomodonte interesat e Rusisë.
Guterres theksoi përpjekjet e tij për të përmirësuar aftësinë e Rusisë për të eksportuar, edhe nëse kjo përfshin subjekte apo individë të sanksionuar rusë”, thuhet në dokumente.
Veprimet e tij në shkurt, sipas vlerësimit, po “minonin përpjekjet më të gjera për ta mbajtur Moskën përgjegjëse për veprimet e saj në Ukrainë”.
Rusia është ankuar shpesh se eksportet e saj të grurit dhe plehrave po ndikohen negativisht nga sanksionet ndërkombëtare dhe ka kërcënuar të paktën dy herë të pezullojë bashkëpunimin me BSGI nëse nuk adresohen shqetësimet e saj.
Drithërat dhe plehrat ruse nuk janë subjekt i sanksioneve ndërkombëtare, por Rusia thotë se ka përjetuar vështirësi me sigurimin e transportit dhe sigurimit.
Zyrtarët e OKB-së janë qartazi të pakënaqur me interpretimin e Amerikës për përpjekjet e Guterres. Dhe ata thonë se Guterres e ka bërë shumë të qartë kundërshtimin e tij ndaj luftës së Rusisë.
/rtsh.al/