“Rrjeta” e Policisë Kufitare në Rinas, bien në pranga tre të kërkuar nga drejtësia brenda 24 orëve

Policia Kufitare e Rinasit ka intensifikuar kontrollet në hyrje-daljet e vendit, duke shënuar një seri arrestimesh. Gjatë 24 orëve të fundit, efektivët e kësaj pike kufitare kanë vënë në pranga tre shtetas të shpallur në kërkim, të cilët i fshiheshin drejtësisë shqiptare pas dënimeve të dhëna nga Gjykata e Tiranës.
Operacioni vjen si pjesë e një plani masash të dedikuar për goditjen e paligjshmërisë, parandalimin e krimit ndërkufitar dhe identifikimin e personave me precedentë penalë që tentojnë të përdorin aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vend si pikë kalimi.
Sipas Policisë së Shtetit, tre personat e arrestuar mbartin dënime për vepra të ndryshme penale, që variojnë nga vjedhja deri te dhënia e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit. Konkretisht, pas hekurave kanë përfunduar shtetasi me inicialet K. K., 26 vjeç i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 3 vite e 4 muaj burgim. Ai akuzohet për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”, një fenomen ky mjaft i goditur kohët e fundit nga autoritetet; J. A., 52 vjeç, ndaj tij, gjykata ka dhënë një vendim fajësie me 12 muaj burgim për veprën penale të “Dhunës në familje”, si dhe E. B., 19 vjeç, i riu ishte shpallur në kërkim pasi rezulton i dënuar me 9 muaj burgim për veprën penale “Vjedhja”.
Pas përfundimit të procedurave standarde të ndalimit në ambientet e komisariatit të Rinasit, të gjitha materialet hetimore dhe procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Tashmë pritet që tre të arrestuarit të transferohen drejt institucioneve të vuajtjes së dënimit për të shlyer masat e caktuara nga gjykata.
Policia Kufitare bën me dije se kontrollet me përzgjedhje dhe verifikimi i thelluar i dokumentacionit do të vijojnë të jenë rigoroze edhe në ditët në vijim.
/rtsh.al/