Rrjetet sociale, Muzhaqi: Nisma në shkolla që fëmijët të shpenzojnë kohën në mënyrë produktive

TIRANË, 26 dhjetor/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi tha sot se “po përpiqemi në mënyrë të vazhdueshme që të rritim filtrat dhe kontrollin ndaj atyre që fëmijët dhe të rinjtë shohin dhe të kenë mundësi që të jenë të kontrolluara në bazë të grupmoshave të tyre”.
Në një prononcim për medie pas mbledhjes së qeverisë duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me masat që po merren për sigurinë e fëmijëve referuar edhe mbylljes së TikTok, Muzhaqi tha se “programe të tilla si ky që prezantova sot i ekipeve sportive, por edhe programet jashtë orarit mësimor si “Art dhe zeje” që ne zhvillojmë në shkolla kanë pikërisht këtë qëllim që ne të mundësojmë që fëmijët dhe të rinjtë kohën pas mësimit mund ta shpenzojnë në një mënyrë produktive”.
“Duke u marrë me aktivitete sportive artistike kulturore ata do të kenë mundësi të shkëputen sadopak nga tabletat. Ndërkohë që kalojnë kohën në tabletat apo telefonat e tyre ta kalojnë në një aplikacion apo në mënyrë produktive që t’i shtojnë vlerë jetës së tyre”, tha Muzhaqi.
Ministrja Muzhaqi u shpreh se “sa i përket filtrave ne përpiqemi në mënyrë të vazhdueshme që të rritim filtrat dhe kontrollin te ato që fëmijët dhe të rinjtë tanë të shohin dhe të kenë mundësi që të jenë të kontrolluara në bazë të grupmoshave të tyre. Kjo është për fëmijët që janë më të vegjël, por kërkon një ndërveprim shumë më të madh nga të gjithë ne, jo vetëm nga ju si ekspertë të medias, por e gjithë shoqëria jonë kërkon një nevojë për çfarë i lejojmë fëmijëve tanë të bëjnë në kohën e tyre të lirë”.
“Prandaj është e nevojshme të kemi sa më shumë programe ekipet sportive që fëmijët ta shpenzojnë kohën në mënyrë produktive dhe larg këtyre teknologjive që nuk arrijnë t’i përdorin për të mirën e tyre”, tha Muzhaqi.
/k.s/a.f/