Rrjetëzimi i siteve kukturore, propozohen ndërhyrjet për 6 objekte. Ka filluar puna tek 1 prej tyre

6 objekte të trashëgimisë kulturore, të miratuara tashmë si projekte restaurimi nga Qeveria Shqiptare, si pjesë e programit “EU4Culture”, u bënë sot pjesë e diskutimit për fazën e parë të konsultimit publik për rikonstruksionin e tyre. Ky projekt, i cili zbatohet nga UNOPS në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Kulturës, financohet nga Bashkimi Europian me një buxhet prej 40 milion Euro dhe ka si qëllim të restaurojë sitet e trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019. Bëhet fjalë për Muzeun Etnografik në Krujë, Muzeun Etnografik në Kavajë, Torrën Veneciane e Hamamin në Durrës, Teatrin e Kukullave dhe Urën e Kurcajt.
Ministrja e Kultures Elva Margariti tha se “Pas mbledhjes së këtyre rishikimeve në diskutimin e sotëm, më pas do të kalojnë për miratim në Këshill me të gjitha rishikimet e nevojshme që do të dalin pas këtij takimi. Pra jemi në fazën e koncepteve të rijetëzimit, pjesën e projekteve të mirëfillta të restaurimit, ato i kemi kaluar që në dhjetor”.
Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar është objekti i parë që është miratuar dhe për të cilin ka vazhduar puna. Ai do të pasohet nga godina e Teatrit të Kukullave, e cila edhe pse do të jetë në fazë rikonstruksioni, shfaqjet nuk do të mungojnë.
Sinkron, Margariti: “Mendojmë që ky do të ishte një moment shumë i mirë që ne t’i ribashkohemi politikës së Ministrisë së Kulturës, atë të Teatrit në ture nëpër Shqipëri”.
Të gjitha sitet e projektit do t’u nënshtohen disa fazave të ndërhyrjes duke filluar nga restaurimi dhe konservimi i strukturës, interpretimi, menaxhimi i trashëgimisë kulturore, plani i biznesit dhe menaxhimi i riskut ndaj katastrofave natyrore.