E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrjoll/ GJKKO pranon ankimin e banorëve, urdhëron SPAK të hetojë kallëzimin për “Baks Bay”

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar ankimin e banorëve të Rrjollit lidhur me kallëzimin për falsifikim dokumentesh dhe korrupsion, pas vendimit të SPAK për mosfillimin e hetimeve.

Gjyqtarja Flojera Davidhi ka urdhëruar SPAK të regjistrojë procedimin penal dhe të kryejë hetime mbi pretendimet e ngritura nga banorët.

Këta të fundit pretendojnë se projekti “Baks Bay” po ndërtohet mbi tokë të përfituar në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me ligjin. Në kallëzimin e tyre, banorët kanë ngritur akuza për falsifikim dokumentesh ndaj Fatmir Shpellzës, ndërsa kompaninë “Gener 2” e akuzojnë për ndërtim të paligjshëm.

Banorët e Rrjollit prej rreth 8 muajsh vijojnë protestën kundër projektit. Gjatë kësaj periudhe janë shënuar edhe përplasje fizike me punonjësit e sigurisë dhe efektivë të Policisë së Shtetit.

Me vendimin e GJKKO-së, SPAK tashmë duhet të regjistrojë procedimin dhe të verifikojë pretendimet e bëra në kallëzim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›