Hyseni u pyet për lidhjet me Agasin: Bashkëpunëtor i SHISH!

Drejtoresha e SHISH u mor në pyetje nga SPAK 4 ditë para se të lëshohej urdhërarresti. Ajo ka pretenduar se Ergys Agasi ishte bashkëpunëtor i SHISH, por SPAK thotë se ka prova që vërtetojnë se ai merrte dhe diktonte informacionin që i duhej. Komunikimet Agasi-Hyseni bëheshin në Signal. SPAK: Për të ashtuquajturin bashkëpunëtor, Kreu i SHISH nuk ka vënë në dijeni asnjë nga instancat qoftë dhe paralele apo brenda institucionit.
Vlora Hyseni ka pasur komunikim të vazhdueshëm me Ergys Agasin edhe gjatë kohës që ai ka qenë person në kërkim. Sipas burimeve të gazetares Keti Banushi, ajo është marrë në pyetje nga SPAK 5 ditë më parë, jo për herë të parë, në cilësinë e personit që ka dijeni dhe e ka pranuar që ka pasur komunikim me Ergys Agasin, në cilësinë e bashkëpunëtorit.
Sipas pretendimit të Hysenit, SHISH gjithmonë punon me bashkëpunëtorë. Telefoni i sekuestruar i Ergys Agasit ka me qindra thirrje mes drejtueses së SHISH dhe Ergys Agasit, madje edhe foto e video që nuk janë në cilësinë e bashkëpunëtorit, që sipas SPAK janë më shumë se këto. Ajo ka pranuar që ka pasur vetëm komunikime telefonike dhe jo takime fizike, por prokuroria dyshon për të kundërtën.
Dyshohet edhe se Ergys Agasit mund t’i jenë vënë nën dispozicion makina të SHISH për lëvizjet e tij brenda vendit.
Mësohet gjithashtu se Prokuroria e Posaçme kishte 10 ditë që e kishte dorëzuar kërkesën për masën e sigurisë ndaj Vlora Hysenit në Gjykatën e Posaçme, është mbajtur nga gjyqtarja që më pas ka vendosur. Gjykata ka qenë e kujdesshme në verifikimin e fakteve dhe më pas e ka miratuar këtë kërkesë.
Hyseni duhet të paraqitet në GJKKO brenda 5 ditëve nga marrja e vendimit, bashkë me persona të tjerë që janë nën masë sigurie dhe të japë më shumë sqarime për çështjet dhe akuzat e ngritura nga SPAK.
Kryekamerieri i lokalit pranë vilave qeveritare në Durrës, Embro Sulejmani, ku Agasi shpesh drekonte me familjen e tij, ka pohuar se komunikimet me biznesmenin kanë qenë për porositë e ushqimeve që ai i dërgonte ose kamerieri që i shërbente në lokal.
Sa i takon përkrahjes, thotë se nuk e njihte si person në kërkim. Ndërkohë prokuroria pretendon se Sulejmani ka qenë personi që ka fshirë pamjet e kamerave të sigurisë pas arrestimit të Agasit.