Rrufeja vret 13- vjeçaren, dy plagosen
ELBASAN-Shkodër- Një 13-vjeçare ka gjetur vdekjen e menjëhershme dje, si pasojë e goditjes nga rrufeja, shumë pranë oborrit të banesës së saj. Burime të Policisë bënë të ditur se 13-vjeçarja Anxhela Llapushi ka qenë duke kullotur bagëtitë në oborrin e shtëpisë së saj në fshatin Blerimas të komunës Tregan, kur edhe e ka goditur rrufeja. Grupi hetimor i ndodhur në vendin e ngjarjes konstatoi se si pasojë e goditjes e mitura ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Ndërkaq, në fshatin Kosmaç në Shkodër, Lumturie Vadinaj, 37 vjeçe, dhe motra e saj 40 vjeçe, Sadete Sula, janë futur nën një pemë për t’u mbrojtur nga shiu. Por vetëtima e fortë i ka lënë ato të plagosura. Burime spitalore bënë të ditur se gjendja e tyre është e rëndë. Edhe në rrethe të tjera, si Kukësi etj, ditët e fundit janë shkaktuar viktima si pasojë e rrufeve. m.s/r.d