E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga e Krishtit sipas Adrian Pacit

Inspiruar nga Ungjilli sipas Mateos, është arti i ringjalljes që reflekton edhe jetën e dhimbshme personale të shqiptarit, i rritur në një regjim që ndalonte besimin fetar. I larguar prej vendit të tij në një kohë lufte civile, siç ishte viti i mbrapshtë shqiptar i ’97-ës, dhe i hipur në një anije të vjetër për të mbërritur në brigjet e Italisë, artisti Adrian Paci bëri për vete Milanon me artin e tij. Me performancën e tij më të fundit “Rruga e Kryqit” (ose Krishtit), Adrian Paci ka rilindur i suksesshëm në Milano. Ai vetëm pak ditë më parë realizoi në kishën “San Bartolomeo” të qytetit që e “adaptoi” (Milano) një vepër brilante dhe pikëlluese, antike dhe bashkëkohore njëkohësisht. Paci ia beson “rrëfimin e tij artistik” 14 stacioneve të udhës së Krishtit. Për të promovuar veprën e tij, u angazhua shoqata Art Ache (e drejtuar nga Stefania Morellato dhe drejtor artistik Don Luigi Garbibi). Këtë herë vepra e tij është përshtatur për kishën e “San Bartolomeos”, e ndërtuar në vitin 1864. Ai prezantoi përpara besimtarëve, por jo vetëm, rrugën e ndëshkimit të Krishtit drejt kryqëzimit, si për të bashkuar vuajtjet e birit të Zotit me vuajtjet e bijve të tij në kohët moderne. Imazhet që shfaqen janë realizuar me një grup miqsh, madje dhe familjarë të artistit. Imazhet bardh e zi të “stampuara” nga aparati fotografik janë shkëputur pikërisht nga perfomanca e tij në kishën “San Bartolomeo” në Milano. Një karrierë e konsoliduar i ka hapur atij disa herë edhe dyert e Bienales së Venecias, e këtë vit ai me artin e tij ka shkuar në Zyrih, Stamboll dhe Londër. Imazhet e “Rrugës së Kryqit” që shihni janë edhe fotograme nga një video e Pacit, që ka bërë xhiron e botës. Në realizimin e saj ai ka përfshirë miq, prindërit dhe studentë të arteve. “Kjo është edhe historia ime. Kur kam qenë fëmijë, feja ishte e ndaluar në vendin tim të lindjes në Shqipëri. Kështu, gjyshja ime më tregonte për Ungjillin përmes pikturave të Tizianos, Piero e Grunewald, që ishin në një libër të babait tim piktor.” - thotë artisti shqiptar Adrian Paci. Ndërkohë, artisti shqiptar po përgatitet për një tjetër ekspozitë të rangut botëror. Nga data 1 qershor - 24 korrik në Madrid do të mbahet Festivali i 14-të “Foto Spanja”, nën kujdesin e kuratorit nga Kuba Gerardo Mosquera. Në këtë Festival marrin pjesë 370 artistë nga 55 vende të ndryshme të Botës. Gjatë këtij Festivali do të çelen 70 ekspozita në 33 galeri të ndryshme. Mes 370 artistëve do të jetë dhe artisti shqiptar Adrian Paci, bashkë me emra të tjerë të njohur të artit bashkëkohor, si Ron Galella, Alfredo Jaar, Cindy Sherman, Thomas Ruff, Hans-Peter Feldman etj. Adrian Paci prezantohet në këtë ekspozitë ndërkombëtare me “Portreti i Fayum; nuk ka të ardhme të dukshme”, që do të hapet në Muzeun Arkeologjik të Madridit bashkë me 13 portrete të tjera të Fayum, të sjella sipas konceptit të artistëve nga vende të ndryshme të botës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›