E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oskar i trashëgimisë për Kisha e Shën Gjergjit

Çmimet ‘Europa Nostra’ janë një lloj “Oskar” në botën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, që u jepen projekteve më të mira, me qëllim që të inkurajohen përpjekjet dhe projektet që lidhen me ruajtjen dhe promovimin e monumenteve të kulturës,veprave të artit dhe peizazheve të Europës.

Këto ditë në faqen zyrtare të Europa Nostra (Federata pan-Europeane për Trashëgimi Kulturore) u publikuan çmimet e Bashkimit Europian / ‘Europa Nostra’ për Trashëgiminë Kulturore për vitin 2011. Në listën e fituesve figuron edhe kisha e Shën Gjergjit në Shipskë, e cila ka fituar Çmim në Kategorinë e parë – Konservim. Çdo vit ‘Europa Nostra’, e cila përfaqëson më se 250 organizata që japin kontributin e tyre në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e peizazhit të Europës dhe Bashkimi Europian, vlerësojnë arritjet më të mira në fushën e Trashëgimisë Kulturore në mbarë Europën. Çmimet jepen për 4 kategori: a) Konservim i trashëgimisë kulturore, b) Kërkime shkencore në fushën e konservimit dhe trashëgimisë, c) Kontribute të veçanta nga individë apo grupe e organizata që për një kohë të gjatë kanë demonstruar përsosmëri në mbrojtje, konservim dhe përmirësim të trashëgimisë kulturore dhe d) Edukim, Trajnim dhe Informim të trashëgimisë kulturore, ku përfshihen iniciativa të shkëlqyera në ketë drejtim. Çmimet e BE-së për Trashëgiminë Kulturore ‘Europa Nostra’ konsistojnë në dy nivele: 27 nga 140 aplikantë konkurrues janë shpallur zyrtarisht ditën e premte, se e kanë marrë tashmë nga një Çmim, ndërsa 6 prej tyre do të përzgjidhen më 10 qershor 2011, për të marrë Çmimin e Madh (‘Grand Prix’), i cili shoqërohet edhe me një shpërblim monetar prej 10 000€. Për herë të parë në këtë garë madhore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore këtë vit ka marrë pjesë dhe është lauruar me Çmim edhe Shqipëria, me projektin e restaurimit të kishës së Shën Gjergjit në Shipskë, të rrethit të Korçës. Kisha e Shën Gjergjit në Shipskë është restauruar gjatë viteve 2004-2008, me kontributin financiar vetiak të z. Ioanis Averoff nga Mecovo e Greqisë. Restaurimi i këtij monumenti është kryer nën drejtimin e arkitektit restaurues Kliti Kallamata dhe konsiderohet nga specialistët e kësaj fushe si restaurimi më i mirë i kryer në Shqipëri gjatë çerekshekullit të fundit, duke iu përmbajtur të gjitha kritereve shkencore dhe kartave ndërkombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Projekti synonte jo vetëm shpëtimin nga rrënimi dhe restaurimin e këtij monumenti të shek. të 17-të, por edhe kthimin e tij në një pikë të fuqishme atraksioni për vizitorë, dhe në radhë të parë për vetë banorët e fshatit Shipskë, të cilët e kishin braktisur atë duke u larguar në emigracion. Në kongresin e përvitshëm të ‘Europa Nostra’, i cili këtë vit do të mbahet më 8-11 qershor në qytetin e Trashëgimisë Botërore, Amsterdam, do të mblidhen anëtarët e ‘Europa Nostra’ dhe përfaqësuesit e gjithë lëvizjes për trashëgimi kulturore nga mbarë Europa. Si përherë, momenti më interesant i kësaj ngjarjeje do të jetë ceremonia e dhënies së Çmimeve të Trashëgimisë Europiane, ku do të celebrohen të 27 fituesit e Çmimeve të BE 2011 për Trashëgiminë Kulturore / Çmimet Europa Nostra. Ceremonia e Çmimeve të Trashëgimisë Europiane do të mbahet në Koncertgebau të Amsterdamit më 10 qershor 2011. Në ceremoni do të jetë e pranishme komisionerja europiane për Edukimin, Kulturën, Multilingualizmin, Sportin, Median dhe Rininë, Androulla Vassiliou. Gjithashtu, në momentet kryesore të kongresit do të marrë pjesë edhe presidenti i ‘Europa Nostra’, Plácido Domingo, i cili vjet u zgjodh unanimisht prej asamblesë së përgjithshme për angazhimin e tij në këtë fushë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›