Rruga e Malit të Zi drejt integrimit, angazhimi për anëtarësimin në BE mbetet i lartë

Edhe pse sondazhet e fundit kanë treguar një rënie në mbështetjen për integrimin evropian, angazhimi i shumicës së qytetarëve malazezë ndaj Evropës mbetet i padiskutueshëm. Pavarësisht luhatjeve në mbështetje dhe arsyeve për të cilat ato ndodhin, Bashkimi Evropian është i pranishëm në jetën e Malit të Zi, dhe kjo është e dukshme në çdo hap, përmes infrastrukturës, bujqësisë dhe dixhitalizimit, por edhe përmes reformave që kanë krijuar kushte më të qëndrueshme për investime dhe një mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës.
“Nëse do të ishim anëtarë me të drejta të plota në BE do të kishim një axhendë reformash të fondeve strukturore çdo vit.” – tha Gordana Đurović, profesore në Fakultetin e Ekonomisë dhe ish-Ministre e Integrimit Evropian.
Sipas saj, të jesh pjesë e bllokut evropian do të thotë që qytetarët e Malit të Zi mund të blejnë, tregtojnë, prodhojnë dhe ofrojnë shërbime në tregun evropian shumë më lehtë dhe të marrin pjesë në rrjedhat e tij ekonomike dhe financiare.
Ekspertët thonë se parakushti për të gjitha këto do të ishte siguria dhe stabiliteti. Sipas tyre anëtarësimi i plotë i vendit në Europol, Eurojust dhe Frontex do të ishte i rëndësishëm.
“Anëtarësimi në secilin prej këtyre institucioneve evropiane të sigurisë do t’i jepte para së gjithash Malit të Zi mundësinë e aksesit të pakufizuar në bazat e të dhënave, në hetime , mundësinë e një shkalle më të madhe të kontrollit kufitar së bashku me BE-në, dhe kjo në fakt do të plotësonte një paketë të tërë masash sigurie“- tha Nikola Banićević, Doktor i Shkencave Politike, i specializuar në Marrëdhënie Ndërkombëtare duke shtuar se do të sillte stabilitet më të madh politik, do të forconte luftën kundër krimit të organizuar dhe gjithashtu një luftë më efektive kundër korrupsionit.
/rtsh.al/