E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Rruga e Paqes" projekti për nder të Nënë Terezës

TIRANE- “Rruga e Paqes” Ky është projekti më i ri Shqiptaro- italian që do të ndërmerret për nder të 100 vjetorit të lindjes së bamirëses shqiptare Nënë Tereza. Në një ceremoni të organizuar sot paradite në presidencë, presidenti i Republikës Bamir Topi informoi se sot do të vendoset guri simbolik i projektit i cili pritet të nisë zyrtarisht në tetor të këtij viti.

Në aktivitet merrnin pjesë edhe përfaqësues të Korpusit Italian të Paqes, Kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste, si dhe personalitete të shquara shqiptare.

Në "Rrugën e Paqes", që do të ndërtohet në nderim të Nënë Terezës, sipas Presidentit Topi, do të vendosen shumë gurë, që do të mbajnë firmën e presidentëve të mbarë botës, si simbolikë e vullnetit të tyre për paqen dhe tolerancën.

"Në emër të popullit shqiptar, unë iu drejtova të gjithë presidentëve të botës që të kontribuojnë me një memorie në emër të popujve të tyre, duke vendosur një gur simbolik për të inauguruar fillimin e një rruge që do të ketë emrin 'Rruga e Paqes'", tha Presidenti Topi. Nënë Tereza- tha Presidenti- u bë fuqia morale më e spikatur e shekullit 20-të.

“Në këtë përvjetor, në kujtim të Nënë Terezës, nuk duhet të harrojmë porositë që ajo i la njerëzimit që të ecim në rrugën e paqes, harmonisë dhe bashkëjetesës. Nënë Tereza ishte zëri i miliona fëmijëve, grave dhe burrave të varfër e të braktisur në të gjithë globin. Njerëzit kanë mbetur të mrekulluar me ate cka ajo mundi të bëjë në lagjet e varfra te Kalkutës”.—nënvizoi presidenti Topi.

Presidenti Topi shtoi se në këtë rrugë do të vendosen gurë që do të mbajnë firmën e të gjithë presidentëve në mbarë botën. Në fjalën e tij kreu i shtetit vlerësoi jetën dhe vepren e bamirëses së madhe me origjinë shqiptare.
XHANFRANKO KOSTA
Në fjalën e tij kreu i Unionit Italian të Paqes, Xhanfranko Kosta tha se sot të gjitha kombet bashkohen në përkujtimin e Nënë Terezës, një simbol bashkimi për të gjithë popujt. Sipas tij, të gjithë shqiptaret sot, vecanërisht krerët e shtetit duhet të jenë krenarë në këtë ditë të vecantë. Duke komentuar “Rruga e Paqes” zoti Kosta tha se Tirana me këtë projekt do të kandidojë të jetë një kryeqytet i iniciativave të paqes.
RAMA
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, vlerësoi projektin “Rruga e paqes”, e cila sipas tij, do t’i bëjë jehonë gjithë veprës së Nënë Terezës.
Rama tha se “do t’i jepet jetë një hapësire në parkun e kryeqytetit, ku burra, gra, fëmijë e të moshuar, njerëz të njohur e të panjohur dhe autoritete shtetërore mund të përshkojnë një rrugë, e cila në të njëjtën kohë, përmes emrave të shkruar në gurët e saj, t’i bëjë jehonë gjithçkaje për të cilën ne flasim shumë në ditët përkujtimore, por shpeshherë harrojmë ta kujtojmë në ditët e zakonshme”.

(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›