“Rruga është më keq se në 1964-ën”/ Banorët e fshatit Luz të Fushë Krujës sërish në protestë, policia nis hetimet

Ata kërkojnë rregullimin e rrugës së fshatit të tyre.
Protestuesit kanë deklaruar se nuk do të ndalen derisa rruga të ndërtohet, ndërsa kanë paralajmëruar se protestat do të përshkallëzohen.
Një protestues u shpreh se, rruga e fshatit Luz është si në vitin 1964, teksa kritikoi zyrtarët vendorë për mospërfilljen e kërkesave të tyre.
“Kam dal për rrugën. Unë kërkoj rrugën e Luzit, është bërë si në 1964. Në 1964-1975 këtë gjendje kemi shkuar nga Tur Bushi. Se Tur Bushi dhe Ilir Loci e di unë çfarë kanë bërë, prandaj nuk vijnë këtu”, tha një protestues.
Kujtojmë se ditën e djeshme Policia nisi hetimet ndaj disa protestuesve, pas pretendimeve se protesta e ditës së djeshme ishte organizuar pa lejen përkatëse.
“Policia referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit G. D., B. S. dhe S. B., pasi dje, në fshatin Luz, duke organizuar një protestë të paligjshme, kanë penguar qarkullimin e mjeteve. Punohet për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast”, njoftonte policia.
Por hetimi i disa personave nuk i ka ndalur banorët e fshatit Luz që ditën e sotme të dalin sërish në protestë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre për një rrugë me standarde.
Edhe këtë herë, protestuesit janë mbështetur nga gazetari dhe aktivisti Aulon Kalaja.