Amnistia/ Kush del menjëherë nga burgu dhe kush përfiton ulje dënimi

Burra, që deri më 31 dhjetor 2025 janë dënuar me vendim të formës së prerë apo u ka mbetur edhe 3 vite burg dhe vendimi ka marrë formë të prerë dhe gra, që janë dënuar me 4 vite burg me vendim të formës së prerë deri në fund të vitit të kaluar, me përjashtim të disa kategorive të veprave penale, do të lirohen menjëherë nëse Kuvendi do t’i japë “Ok”-in amnistisë penale që ka përgatitur qeveria.
Nga kjo amnisti pritet të përfitojnë më shumë se 10 mijë persona.
Mbi 7700 prej tyre kanë procedime për drejtim të parregullt të automjeteve. Vetëm pak më shumë se 1300 janë të dënuar, nga të cilët 380 të dënuar do të lirohen ndërsa 900 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi.
LIROHEN MENJËHERË NGA BURGU (me përjashtimet e ligjit)
- Burrat e dënuar deri në 3 vite ose më pak
- Gratë e dënuara deri në 4 vite ose më pak
- Burrat që u ka mbetur deri në 3 vite burg
- Gratë që u ka mbetur deri në 4 vite burg
- Burrat që janë 60-vjeç ose më shumë
- Gratë që janë 50-vjeç ose më shumë
- Të gjithë ata që ishin 18-vjeç kur kryen krimin
Ulje dënimi
Përveç rreth 380 të burgosurve që përfitojnë lirim të menjëhershëm, rreth 1000 të tjerë parashikohen të përfitojnë ulje të dënimit.
Qeveria ka parashikuar ulje të dënimit me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë dhe të miturit.
Nga këto përfitime përjashtohen:
- Personat e dënuar nga GJKKO;
- Të dënuarit me burgim të përjetshëm;
- Ata që i janë shmangur drejtësisë dhe të dënuar për vrasje në rrethana cilësuese;
- Të dënuarit për vrasje të funksionarit publik;
- Të dënuarit për vrasje të punonjësit të policisë;
- Të dënuarit për krim në familje.
Kujtojmë se, sipas shifrave të vetë ministries së drejtësisë, nga personat që ndodhen në burgjet e vendit mbi 50% janë të paraburgosur, në pritje të vendimeve të gjykatave.
Edhe Këshilli i Europës ka ngritur alarmin për numrin e lartë të paraburgimeve në Shqipëri.
“Është përgjegjësi e autoriteteve gjyqësore kombëtare të sigurojnë që, në një rast të caktuar, paraburgimi I një personi të akuzuar, të mos tejkalojë një afat të arsyeshëm. Gjykata për të drejtat e njeriut thotë qartë se barra e proves në këto raste nuk duhet të përmbyset duke ia ngarkuar personit të ndaluar detyrimin për të provuar ekzistencën e arsyjeve që justifikojnë lirimin e tij. Problemi i praktikës së paraburgimit në Shqipëri është përdorimi i tepruar dhe i paarsyetuar mjaftueshëm i kësaj mase, vecanërisht, në gjykatat e shkallës së parë, dhe gjatë rishikimeve periodike.” tha gjatë një vizite në Tiranë Gianluca Esposito, zyrtar i Këshillit të Europës.