E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rrugëtimi kishtar i Joan Pelushit, nga pagëzimi në komunizëm, tek përkushtimi si Mitropolit

Joan Pelushi, tashmë i ulur në Fronin Kryepeshkopal, vjen në këtë post të lartë pas një përkushtimi të gjatë në radhët e Kishës Ortodokse.

Fortlumturia e Tij, Joani, ka lindur në Tiranë më 2 janar 1956. Fillimet e tij me krishtërimin datojnë në moshën e rinisë, në kohën e monizmit, kur Shqipëria ishte shpallur ateiste. Ai u pagëzua në besimin ortodoks gjatë periudhës së persekutimit të egër komunist nga prifti Kozma Qirjo. Në atë kohë, një grup i vogël njerëzish praktikonin ortodoksinë fshehurazi në një kishë të nëndheshme.

Kryepeshkopi i sapozgjedhur, Joani, deri në vitet 90 punoi në Spitalin Psikiatrik të Tiranës. Pas përmbysjes së regjimit, ai u largua në SHBA, ku kreu studimet në Teologji në Boston në vitin 1993. Më pas, ai rikthehet në Shqipëri, ku punoi si pedagog në Akademinë Teologjike të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Më 27 shkurt 1994, u dorëzua dhjakon, grada e parë priftërore, dhe një vit më pas ndoqi studime të tjera në Boston. Në vitin 1997, u diplomua për Master në Teologji po në Boston. U kthye në Shqipëri, ku u emërua dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse, detyrë në të cilën qëndroi nga viti 1996 deri në vitin 1998, deri sa u emërua Mitropolit i Korçës, ku shërbeu deri më tani.

Ka përkthyer disa libra teologjikë në shqip, ku veçohet shkrimi i tekstit të parë të Dogmatikës në shqip, tekst që përdoret si botimi zyrtar i Kishës Ortodokse në Shqipëri.

Roli i Fortlumturisë së Tij, Joanit, është vlerësuar jo vetëm në aspektin shoqëror, por edhe në atë humanitar, pasi ka hapur disa qendra për të varfërit. Ndër vite, ai është nderuar me disa çmime, si “Qytetar Nderi” në Korçë, “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Fan Noli, apo dhe nga Bashkia e Tiranës me certifikatë mirënjohjeje për promovimin e paqes dhe harmonisë fetare.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›