Hetime në Parlamentin Evropian, dyshohet se kompania “Huawei” u ka dhënë rryshfet disa eurodeputetëve

Prokuroria Federale Belge ka arrestuar disa persona në kuadër të një hetimi për korrupsion në Parlamentin Europian, mes akuzave se kompania kineze Huawei ka dhënë ryshfet për të ndikuar në politikat tregtare të Bashkimit Europian.
Sipas një deklarate të prokurorisë, rreth 100 oficerë federalë kanë realizuar 21 kontrolle në Bruksel dhe Portugali. Dyshuarit janë marrë në pyetje për përfshirjen e tyre të mundshme në korrupsion aktiv, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash.
Gazetat belge raportojnë se persona që punojnë për Huawei kanë ofruar ryshfet ndaj eurodeputetëve aktualë ose ish-anëtarëve të Parlamentit Europian për të promovuar interesat e kompanisë në Europë.
Prokuroria belge nuk e përmendi drejtpërdrejt emrin e Huawei-t në deklaratën e saj, por sqaroi se korrupsioni dyshohet të ketë ndodhur në mënyrë të rregullt dhe të fshehtë që nga viti 2021 deri më sot.