E Diel, 1 Nëntor 2026

Rubio uron Ditën e Pavarësisë: SHBA dhe Shqipëria gëzojnë partneritet të fortë

TIRANË, 28 nëntor /ATSH/ Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio uroi sot në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, popullin e Shqipërisë për Ditën e Pavarësisë.

“Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi angazhimin e përbashkët për një të ardhme më të sigurt e të begatë. Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë reciproke dhe ne e mirëpresim investimin e shtuar të Shqipërisë për sigurinë tonë të përbashkët”, thekson Rubio.

Gjithashtu, nënvizon Rubio, “partneriteti ynë me forcat ligjzbatuese shqiptare i bën qytetarët tanë më të sigurt teksa ne përballemi me kërcënimet që paraqiten prej grupeve kriminale ndërkombëtare, karteleve të trafikut të drogës, si dhe atyre që bashkëpunojnë me ta”.

“Ne gjithashtu e vlerësojmë bashkëpunimin e ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike, si dhe përgëzojmë Shqipërinë për hapat e saj domethënës në sigurinë kibernetike”, vijon Rubio.

“Teksa shënojmë këtë ditë të veçantë, ne presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë”, përfundon mesazhin e tij të urimit Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.

Sot shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, festojnë 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i udhëhequr nga Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë, një akt historik që vulosi aspiratat shekullore për liri dhe shtet të pavarur.

Nga ngritja e flamurit të Skënderbeut në Krujë më 28 nëntor 1443, te nënshkrimi i Aktit të Pavarësisë më 1912, kjo datë simbolizon qëndresën, unitetin dhe identitetin kombëtar.

/gj.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›