E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruçi: 21 janari, zhvillim tragjik

Kryetari i Grupit Parlamentar të PS njëkohësisht Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së priti në një takim një delegacion nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së, kryesuar nga Përfaqësuesi Special për Europën Juglindore i kësaj Asambleje, deputeti Roberto Batelli. Qëllimi i këtij takimi ishte kriza politike në vend dhe zhvillimet dramatike të 21 janarit.
 

Gjatë takimit, Ruçi shprehu mirënjohjen për angazhimin dhe asistencën e OSBE-së lidhur me proceset demokratike në Shqipëri. Ndër të tjera, Kryetari i Grupit Parlamentar e cilësoi ngjarjen e 21 janarit si një zhvillim tragjik pas një krize politike e cila zgjat prej më shumë se një viti e gjysmë. Ruçi renditi si probleme kryesore që sollën në këto zhvillime me pasojën humbjen e jetës së katër qytetarëve të pafajshëm të vrarë nga Garda e Republikës, vjedhjen e votave të 28 qershorit, kapjen e shtetit nga pushteti dhe korrupsionin qeveritar që kulmoi me publikimin e video-skandalit.

Duke folur për përdorimin nga opozita të gjithë instrumenteve demokratike për të kërkuar hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, Ruçi risolli në vëmendjen e bashkëbiseduesve rrëzimin arbitrar nga ana e maxhorancës të rezolutës së Parlamentit Europian, ku rekomandohej ngritja e Komisionit Hetimor parlamentar për hetim të materialeve zgjedhore të zgjedhjeve të fundit të përgjithshme.

Ruçi ngriti gjithashtu shqetësimin për mungesën e respektimit të procedurave parlamentare dhe shkeljet flagrante e të përsëritura të çdo ligji dhe rregulloreje në fuqi nga ana e maxhorancës në funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›