E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: KQZ e komanduar politikisht. Mohon llogaritjen e votës

TIRANË- Kryetari i Asamblesë së Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi ka deklaruar sot se mosnumërimi i kutive të Fierit do të thotë mohim i llogaritjes së votës për shqiptarët që kanë shprehur vullnetin e tyre me 28 qershor. Gjatë një konference për shtyp nga selia e PS-së, Ruçi e ka quajtur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucion të komanduar politikisht që po vepron në kundërshti me ligjin.
"Shqiptarëve po u mohohet e drejta legjitime e llogaritjes së votës, në shkelje të plotë të ligjit dhe të gjitha parimeve kushtetuese, nga KQZ-ja e komanduar politikisht"- tha ai, duke garantuar shqiptarët se do të bëhen gjithë përpjekje për të shpënë në vend vullnetin e tyre.
"Në emër të PS-së sigurojmë çdo shqiptar dhe faktorin ndërkombëtar se kemi bërë çdo përpjekje ligjore për të mbrojtur zgjedhjet nga delegjitimimi i tyre dhe nga vjedhja", theksoi Ruçi.
Në përfundim të deklaratës së tij, Ruçi i bëri apel Sali Berishës që të mos cenojë votën e shqiptarëve, nëpërmjet KQZ-së, e cila refuzon prej tetë ditësh të numërojë dhe legjitimojë mandatin e 9-të fitues të PS-së në Fier.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›