Tentojnë t'i grabisin djalin 8-vjeç, plagosin gruan kosovare
KUKËS- Një shtetase kosovare u plagos me armë zjarri, teksa mbronte të birin 8-vjeç, nga dy persona të armatosur që tentuan ta rrëmbenin, pasi më parë i kishin zënë pusinë për t'i grabitur.
Ngjarja ndodhi në orët e vona të natës së mbrëmshme, 2-3 km larg Kukësit, kur shtetasja Makfine Berisha së bashku me dy fëmijët dhe vëllanë e saj po udhëtonte në drejtim të Durrësit për pushime. Shumë pranë vendit të quajtur Ura e Rexhepajt, pjesë e aksit Tiranë-Kukës-Morinë, dy persona të armatosur kanë ndalur makinën dhe kanë tentuar të rrëmbejnë djalin 8-vjeçar të saj.
Në përleshje e sipër, atë e kanë qëlluar me armë zjarri dhe e kanë plagosur rëndë.
Gruaja u shoqërua në spitalin e qytetit, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërkohë që policia e mbajti ngjarjen të fshehtë në fillim.
Spitali është i rrethuar nga forca të policisë, që nuk lejojnë t'i afrohesh 'viktimës'.
Ende nuk dihen detaje rreth ngjarjes, pasi policia pret përmirësimin e gjendjes së gruas për të marrë dëshminë e saj.
Policia ka bërë disa shoqërime, por ende nuk ka të dhëna rreth autorësisë së kësaj ngjarjeje të rëndë.