E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ruçi pret ambasadorin Hasani: Unifikim i qëndrimeve për dialogun me Serbinë!

 

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti Ambasadorin e Kosovës, Nait Hasani, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Shqipëri.

Kryetari Ruçi e falënderoi Ambasadorin Hasani për kontributin e tij për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Ruçi nënvizoi se, “Shqipëria, ashtu si deri tani, do të jetë në mbështetje të Kosovës, për përballimin e sfidave të sotme dhe të ardhme. Bashkimi Europian është i vetmi destinacion i të ardhmes së Kosovës dhe Serbisë. Është shumë premtues fakti që SHBA dhe BE kanë qëndrime të njëjta mbi dialogun Kosovë-Serbi. Kosova i ka të gjitha arsyet dhe mundësitë që të jetë një partner më i besueshëm se Serbia në raport me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian. Prandaj është i nevojshëm edhe unifikimi i qëndrimeve politike e kombëtare të të gjitha institucioneve, forcave politike dhe zërave publikë, kombëtarë e ndërkombëtarë, të Kosovës dhe për Kosovën si edhe për dialogun me Serbinë”.

Ambasadori Hasani falënderoi Kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi për mbështetjen politike, institucionale dhe personale për sfidat me të cilat përballet sot Kosova dhe shprehu bindjen se edhe në të ardhmen Shqipëria dhe Kuvendi i Shqipërisë do të jenë në krah të Kosovës për përballimin e këtyre sfidave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›