Ruli: Nuk kemi mashtruar në rezultat

8 maj 2021! Dita e kërcimebë në Kodrat e Liqenit në kryeqytet, që përkon dhe më inaugurimin e pistës së re. Izmir Smajlaj thyen rekordin kombëtar me 8.16 metra. Dhe e gjithë kjo histori tanimë është kthyer në një çështje penale për sportistin, presidentin e Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, dhe sekretarin e përgjithshëm Nikolin Dionisi. Me termin “Mashtrim” në rezultat të tre rrezikojnë të pezullohen nga 4-8 vite. E për Radio Televizionin Shqiptar, Ruli jep versionin e tij.
“Nuk është thënë kurrë nga goja ime dhe të kem mbushur një formular si president dhe të kem thënë tek autoritetet ndërkombëtare që Izmiri ka kërcyer në garën me rezultatin 8.16 metra me matës ere. Nëse unë do të krijoja një ngjarje dallavere për të manipuluar një rezultat unë nuk do të lajmëroja të gjitha mediet, të cilat ishin prezente ditën që Izmir Smajlaj theu rekordin kombëtar. Apo edhe autoritetet më të larta të sportit në vend”, shpjegon Ruli.
A është e vërtetë që në ditën e garës janë ndërruar gjyqtarët pranë pedanës?
“Gjyqtarët nuk i caktoj unë. Nuk ma merr mendja që unë paskam këtë aftësi për të bërë këtë punë. E dyta, e cila është shumë e rëndësishme, unë kam qenë në spital atë ditë dhe kam dalë me firmën time për të qenë pranë sportistit dhe pranë garës”, tregon i pari i atletikës shqiptare.
Në fakt, Smajlaj ka patur pas asaj gare një luhatje të rezultateve duke lëvizur nga 7.80 – 7.90 metra. Pse kjo lëvizje kaq e madhe?
“Është normale, sepse kjo nuk është garë vrapimi që ti mund të rekuperosh nga metri në metër e nga distanca në distancë. Por është një garë psikomotorre e cila ka brenda shumë elemente. Gara 8.16 metra nuk ka brenda metër manipulim”, bën të ditur Ruli.
Në atë periudhë, Ruli pat deklaruar që Smajlaj do të arrijë 8.31 metra, por që nuk ndodhi asnjëherë
“Ne ikëm dy ditë përpara në Tokio. Ndryshimi i orarit. Ne nuk patëm shansin të bënim një provë të vetme në stadiumin olimpik në Tokio. Pra Izmiri hyri në një pedanë të panjohur. Izmiri ka rrahur 30-40 centimetra larg nga pedana. Nëse do të ishte në pedanë kërcimi do të ishte rekord”, thotë Ruli.
Tanimë Ruli dhe Smajlaj kanë apeluar dhe do të shkojnë deri në fund të procesit për të vërtetuar pafajësinë e tyre.
“Ne nuk kemi pranuar që jemi manipulator dhe fallsifikator dhe këtë çështje ne e kemi çuar në tribunale. Madje do ta ndjekim dhe Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë”, nënvizon Gjergji Ruli.
Ndërkohë në kohën e këtij procesi, Smajlaj do të mund të mbetet edhe jashtë kualifikueseve të Lojërave Olimpike “Paris 2024”. Por i pari i atletikës shqiptare beson ndryshe.
“Izmiri vazhdon stërvitjen dhe është në formë sigurisht me pikësynimin për të hyrë në garat kualifikuese për në Lojërat Olimpike në Paris e për të qenë atje me normë”, ka përfunduar Ruli.