E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli në ikje: Të ikë "Top Channel"

Në ditët e tranzicionit të tij ministror, Genc Ruli, ministër në ikje i Ekonomisë dhe në pritje për të drejtuar Bujqësinë, njofton "Top-Channel" se zgjidh kontratën e qirasë për ambientet e Qendrës Kombëtare të Panaireve, ish-ekspozita "Shqipëria Sot". Vendimi i Rulit është marrë më datën 14 shtator, pikërisht ditën kur u dekretua nga Presidenti i Republikës, jo më si ministër i Ekonomisë, por si ministër i Bujqësisë. Në letrën, ku njoftohet zgjidhja e njëanshme e kontratës, Ruli thotë se toka ku ndodhet ndërtesa e ish-ekspozitës "Shqipëria Sot", është privatizuar në datën 9 shtator, pra vetëm një javë më parë.

Në letrën drejtuar "Top-Channel", ministri ende në tranzicion ministror derisa Parlamenti të miratojë këto ditë qeverinë e re, rendit disa ligje, të cilës ish-ministria e tij e Ekonomisë i është referuar vendimit për zgjidhjen e kontratës. Por në të nuk thuhet asgjë për kushtet ligjore të kontratës mes ministrisë dhe shoqërisë "Top-Channel", të cilat televizioni i është përmbajtur jo vetëm me rigorozitet, por duke i tejkaluar me disa herë planet e investimit.

Sipas kontratës së qirasë, që nis në vitin 2005 dhe duhet të përfundojë me të drejtë rinovimi vetëm në vitin 2025, "Top-Channel" ka tejkaluar deri tani me 5 herë më shumë kushtin e punësimit. Edhe plani i investimit është tejkaluar 2.5 herë nga sa parathuhet në kontratë, duke e kthyer godinën e vjetër të ish-ekspozitës "Shqipëria Sot" në ekspozitën e kulturës dhe artit të së ardhmes. Të gjitha shifrat dhe deklarimet e këtyre investimeve të mëdha janë të dokumentuara zyrtarisht edhe në Ministrinë e Ekonomisë, të cilën Genc Ruli e la pikërisht në datën kur njoftoi zyrtarisht zgjidhjen e njëanshme të kontratës me "Top-Channel". Nisur nga sa më sipër dhe nga arbitrariteti i këtij vendimi, "Top-Channel" ka vendosur të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, duke depozituar në gjykatë edhe padinë për rrëzimin e këtij vendimi të njëanshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›