E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusia dhe SHBA-ja thirrje Sirisë. Viktimat, qindra fëmijë të vrarë

MOSKË- Krerët e diplomacisë ruse dhe amerikane i bënë thirrje sot regjimit sirian, që të bashkëpunonte me ekspertët e OKB-së lidhur me sulmet e dyshuar me armë kimike dhe u kërkoi kryengritësve, që të garantojnë akses për hetuesit në vendngjarje, pranë Damaskut.

"Gjatë një bisede telefonike, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov i bëri të ditur homologut të tij amerikan, John Kerry se menjëherë pas informacioneve për këtë sulm, Rusia i ka bërë thirrje qeverisë siriane që të bashkëpunojë me ekspertët e OKB-së, të cilët ndodhen në Siri", njoftoi Ministria e Jashtme ruse në një komunikatë.

"Tani është radha e opozitës që të sigurojë një akses për hetuesit e OKB-së në vendngjarjen e incidentit", theksuan burime zyrtare nga ministria duke shtuar se Lavrov dhe Kerry kanë shprehur "interes të përbashkët" për një "hetim objektiv" nga OKB-ja.
Opozita siriane theksoi dje se regjimi kishte vrarë të paktën 1 300 persona gjatë një sulmi me armë kimike pranë Damaskut, gjë që regjimi e ka mohuar.

Ndërkohë ditën e djeshme, Sekretari i Përgjithshëm i Okb-së Ban Ki Moon i ka bërë thirrje qeverisë siriane që të lejojë inspektorët e OKB-së, të cilët tashmë gjenden në Damask, të hetojnë “pa ndonjë vonesë” akuzat e fundit se armët kimike janë përdorur nga forcat qeveritare kundër një zone që kontrollohet nga rebelët.
Qeveria siriane e ka hedhur poshtë akuzën se ka përdorur armë kimike.

Kundërshtarët e presidentit Bashar al Assad janë shprehur se numri i viktimave shkon nga disa qindra në mbi 1 mijë, ku më të prekurit janë fëmijët e mitur.

Gjithashtu Agjencia e Kombeve të Bashkuara është shprehur se numri i fëmijëve të cilët janë detyruar të largohen nga Siria ka arritur në 1 milion dhe e ka përshkruar këtë situatë si një moment të turpshëm historik.
Agjencia e refugjatëve të Kombeve të Bashkuara dhe UNICEF kanë deklaruar se dy milionë fëmijë të tjerë janë zhvendosur brenda shtetit të Sirisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›