E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusia dhe Ukraina bisedime të ndërmjetësuara nga SHBA në Arabinë Saudite ndërsa sulmet me dronë vazhdojnë! Çfarë vjen më pas

Ditën e sotme, delegacionet ukrainase dhe amerikane do të takohen në Arabinë Sauditë  për bisedime rreth përfundimit të luftës. Ukraina ka dërguar në Arabinë Saudite ministrin e Mbrojtjes, Rustem Umerov, një këshilltar ushtarak presidencial, Pavlo Palisa, shefin e zyrës së Zelesnkyt, Andriy Yermak dhe ministrin e Jashtëm Andrii Sybiha.

Ndërsa Rusia ka dërguar një diplomat karriere dhe kryetarin e komitetit të çështjeve ndërkombëtare në dhomën e lartë të parlamentit, Grigory Karasin dhe një këshilltar të kreut të agjencisë së spiunazhit FSB, Sergei Beseda.

Ende nuk është konfirmuar nga kush do të përbëhet delegacioni i Shteteve të Bashkuara, por një zyrtar amerikan i tha Reuters se në bisedime do të marrin pjesë Andrew Peek, nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, dhe Michael Anton, kreu i planifikimit të politikave në Departamentin e Shtetit.

Bisedimet synojnë të dakordësojnë detajet e një armëpushimi të kufizuar, i cili mund të jetë një hap vendimtar drejt një ndërprerjeje të plotë të armiqësive mes Rusisë dhe Ukrainës.

Rusia dhe Ukraina ranë dakord të dyja javën e kaluar për të ndalur përkohësisht sulmet në infrastrukturën energjetike, por si dhe kur të zbatohet ai armëpushim i pjesshëm janë pyetje që ende nuk janë vendosur pasi sulmet vazhdojnë.

Bisedimet, të mbajtura në Riad, kryeqyteti saudit, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve amerikanë, pritet të fokusohen në zbulimin e këtyre detajeve dhe në sigurinë për transportin në Detin e Zi.

Ukraina ishte e para që mbajti bisedime me Shtetet e Bashkuara të dielën. Rustem Umerov, ministri ukrainas i mbrojtjes që kryeson delegacionin e vendit të tij, tha se ato bisedime zgjatën rreth pesë orë.

“Diskutimi ishte produktiv dhe i fokusuar, ne trajtuam pikat kyçe, duke përfshirë energjinë”, shkroi ai në mediat sociale, pa ofruar detaje.

Një zyrtar ukrainas, duke folur në kushte anonimiteti, tha se delegacioni ukrainas mund të zhvillojë diskutime shtesë me zyrtarët amerikanë të hënën, në varësi të progresit.

Steve Witkoff, të cilin Presidenti Trump e ka përzgjedhur si të dërguarin e tij personal te presidenti Vladimir Putin i Rusisë, ka thënë se qëllimi përfundimtar i bisedimeve është një armëpushim i plotë 30-ditor që do të lejonte kohë për negociata për një armëpushim të përhershëm.

Por rruga drejt një armëpushimi të tillë ka qenë e lëkundur. Moska vazhdon të insistojë në pozicionet maksimaliste, duke përfshirë vendosjen e kontrollit territorial dhe sigurimin që Ukraina të mos anëtarësohet kurrë në NATO.

Qeveria ukrainase ka thënë vazhdimisht se nuk do të pranojë kërkesat e Kremlinit dhe ka akuzuar Putin pengim të armëpushimit.

Ndryshe nga diskutimet e mëparshme të armëpushimit, të cilat përfshinin zyrtarë të lartë qeveritarë nga të gjitha anët, ky raund i ri do të fokusohet në çështje teknike dhe do të përfshijë kryesisht diplomatë dhe këshilltarë qeveritarë.

Keith Kellogg, i dërguari special i SHBA-së në Ukrainë, tha se delegacioni amerikan përfshinte disa nga stafi i tij, së bashku me Michael Anton, drejtor i planifikimit të politikave në Departamentin e Shtetit; dhe ndihmës të këshilltarit të sigurisë kombëtare, Michael Waltz.

Qëndrimi i Moskës

Javën e kaluar, gjatë një bisede telefonike me zotin Trump, Putin tha se Rusia do të binte dakord për një armëpushim të përkohshëm vetëm nëse Ukraina ndalonte mobilizimin e ushtarëve, stërvitjen e trupave ose importimin e armëve për kohëzgjatjen e çdo pauze në luftime.

Putin kërkoi gjithashtu ndalimin e plotë të ndihmës ushtarake të huaj dhe inteligjencës për Kievin, duke e quajtur atë “kushtin kyç për parandalimin e një përshkallëzimi të konfliktit dhe për të bërë përparim drejt zgjidhjes së tij përmes mjeteve politike dhe diplomatike”, sipas thirrjes nga Kremlini.

Në thelb, qëndrimi i Rusisë në lidhje me konfliktin ka mbetur i njëjtë. Kremlini thotë se dëshiron të “eliminojë shkaqet rrënjësore të krizës”, duke kërkuar që Ukraina të kapitullojë. Kjo do të thotë se Kievi do të njohë fitimet territoriale të Rusisë, do të deklarojë neutralitet dhe do të pranojë të zvogëlojë ushtrinë e tij, gjë që ka shumë të ngjarë ta linte Ukrainën të pambrojtur ndaj një pushtimi tjetër.

Qëndrimi i Kievit

Ukraina kishte rënë dakord më parë për një armëpushim të pakushtëzuar 30-ditor për të ndërprerë të gjitha operacionet luftarake, me nxitjen e administratës Trump. Por pasi Moska tha se do të mbështeste vetëm një armëpushim të pjesshëm në infrastrukturën energjetike,  Zelensky foli me Trump dhe ra dakord për armëpushimin e kufizuar.

Ditët e fundit, zyrtarët ukrainas kanë vendosur vija të kuqe për negociatat: Kievi nuk do të pranojë kurrë sovranitetin rus mbi territorin e pushtuar ukrainas, nuk do të pranojë të bllokohet nga anëtarësimi në NATO ose të zvogëlojë përmasat e ushtrisë së tij dhe duhet të ketë garanci sigurie si pjesë e çdo zgjidhjeje paqeje.

Shumë zyrtarë dhe analistë ukrainas shprehin dyshime se edhe një armëpushim i kufizuar do të zgjasë për një kohë të gjatë, duke vënë në dukje se armëpushimet e mëparshme midis Moskës dhe Kievit ishin shkelur në mënyrë rutinore, ku secila palë fajësonte tjetrën.

“Unë nuk besoj në një armëpushim. Ne e kemi kaluar këtë më parë,” tha në një intervistë Kostyantyn Yeliseev, një diplomat me përvojë dhe ish zëvendësministër i Jashtëm ukrainas i cili mori pjesë në negociatat e armëpushimit në 2014 dhe 2015.

Çfarë vjen më pas?

Ëitkoff tha të mërkurën në një intervistë me Bloomberg News se Trump dhe Putin “ka të ngjarë” të takohen në Arabinë Saudite brenda disa javësh. Zyrtarët amerikanë gjithashtu ndoshta do të vazhdojnë takimin me homologët e tyre rusë dhe ukrainas në Lindjen e Mesme për të diskutuar detajet e një armëpushimi të kufizuar të mundshëm.

Por themelet e procesit diplomatik kanë qenë të lëkundura, thanë analistët, me Moskën dhe Kievin të gatshëm për të vazhduar luftën.

“Të dyja palët ende besojnë se mund të vazhdojnë luftën pavarësisht nga pozicioni amerikan,” tha Dmitry Kuznets, një analist ushtarak me gazetën ruse të lajmeve Meduza.

Ai shtoi, “Vizioni i Moskës dhe Kievit se si mund të duket një marrëveshje janë ende pafundësisht larg njëri-tjetrit”./vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›