E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rusia emëron komandant të përgjithshëm për luftën në Ukrainë

Gjenerali Sergei Surovikin është caktuar nga Ministria ruse e Mbrojtjes për të komanduar të gjitha forcat ushtarake ruse në Ukrainë, në një kohë kur avancimi i trupave ukrainase vazhdon me rimarrjen e territoreve.

Ky është zyrtari i parë që emërohet si komandant për të gjitha forcat ruse që janë në territorin ukrainas, prej muajit shkurt.

Sergei Surovikin është një burrë i fuqishëm i ushtrisë ruse, me një karrierë 35-vjeçare gjatë së cilës është vlerësuar tre herë me “Urdhrin e Yllit të Kuq”, “Urdhrin e Meritës Ushtarake” dhe “Urdhrin e Guximit”, ndërsa në Dhjetor 2017 iu dha “Hero i Federatës Ruse”.

Ai ka komanduar forcat ushtarake ruse kur Moska u përfshi në luftën civile siriane.

Nën komandën e Surovikin, qeveria e Asadit arriti një kthesë të madhe në luftën kundër rivalëve të saj në luftën civile, duke rifituar më shumë se 50% të kontrollit të Sirisë deri në fund të vitit 2017 pas një sërë fushatash të suksesshme ushtarake. 

Në shkurt 2022, ai u shtua në listën e sanksioneve të Bashkimit Evropian si “përgjegjës për mbështetjen dhe zbatimin aktiv të veprimeve dhe politikave që minojnë dhe kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, si dhe stabilitetin ose sigurinë në Ukrainë”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›