E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia kritikon NATO-n për drogën afgane

Rusia i ka akuzuar forcat e NATO-s në Afganistan se nuk po bëjnë sa duhet për të ndaluar prodhimin dhe eksportimin e heroinës afgane.

Kreu i Shërbimit Federal të Drogës në Rusi, Viktor Ivanov, tha se talebanët ishin përgjegjës vetëm për përqindje minimale të prodhimit të drogës.

Ai kritikoi NATO-n për përqendrimin vetëm tek një prodhues i vogël.

Z. Ivanov tha se heroina afgane përbënte deri në 90 për qind të tregtisë ruse të narkotikëve.

Kjo nuk ishte hera e parë që Viktor Ivanov sulmon NATO-n për dështimin për të shfarosur prodhimin e drogës në Afganistan.

Por kësaj radhe ai vuri në objektiv të veçantë administratën amerikane të Obamës, duke e akuzuar për ndryshimin rrënjësor të politikës së saj vitin e shkuar.

Ndryshimi i strategjisë i dha fund përpjekjeve të ushtrisë për të shkatërruar bimët narkotike në fushat afgane.

Ai tha se refuzimi amerikan për të shfarosur plantacionet e opiumit ishte garanci se prodhuesit e drogës do të kalonin pa u ndëshkuar.

Qeveria amerikane thotë se praktika e çrrënjosjes së lulëkuqeve po armiqësonte bujqit afganë dhe po i kthente ata në krahun e talebanëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›