Rusia nis sulme me raketa në Ukrainën qendrore pak orë pas përfundimit të takimit Trump-Zelensky

Pak orë pas përfundimit të bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë mes presidentit Donald Trump, presidentit Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësve europianë, Rusia ka nisur një valë sulmesh me raketa e dronë ndaj disa qyteteve ukrainase.
Shpërthime u raportuan në qytetin e Kremençukut, ndërsa raketat balistike të lëshuara nga Rusia goditën rajonin qendror të vendit. Në sulm u përdorën raketa të shumta balistike dhe dhjetëra dronë, ndërsa derimë tani nuk raportohet për viktima.
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se qytetet e vendosura më afër vijës së frontit, përfshirë Kharkiv dhe Poltava, ishin gjithashtu nën kërcënimin e sulmeve me raketa.
Sulmi i fundit rus vjen mes përpjekjeve të intensifikuara nga SHBA-të për të ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje midis Moskës dhe Kievit.
Sulmi vjen vetëm disa orë pas bisedimeve të mbajtura në Shtëpinë e Bardhë ku Presidenti Zelensky shprehu gatishmërinë për një takim dypalësh mes tij dhe Putin.
Sipas Trump, udhëheqësit bënë përparim në një konsensus mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë.
“Gjatë takimit diskutuam Garancitë e Sigurisë për Ukrainën, të cilat do të ofroheshin nga vende të ndryshme evropiane, në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi Trump në Truth Social.
/rtsh.al/