E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rusia paralajmëron SHBA: Nëse na shpallni “vend sponsor të terrorizmit” do kaloni në pikën pa kthim

Rusia ka paralajmëruar SHBA-në se vendosja potenciale e vendit në listën e shteteve sponsorizuese të terrorizmit të Departamentit Amerikan të Shtetit mund të jetë një “pikë pa kthim” diplomatike dhe të shkaktojë një prishje totale të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Sipas The Guardian, Drejtori i Departamentit të Amerikës së Veriut të Ministrisë së jashtme ruse, Alexander Darchiev ka deklaruar se nëse miratohet nisma legjislative për të shpallur Rusinë një “vend sponsor të terrorizmit”, Uashingtoni do të kalojë në pikën pa kthim.

“Nuk do të doja të hyja në spekulime hipotetike se çfarë është e mundur dhe çfarë nuk është e mundur në situatën aktuale të trazuar, kur perëndimorët e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kanë shkelur ligjin ndërkombëtar dhe tabutë absolute në praktikën diplomatike.

Në këtë kontekst, do të doja të përmendja nismën legjislative që po diskutohet aktualisht në Kongres për të shpallur Rusinë një “vend sponsor të terrorizmit”. Nëse miratohet, do të thotë se Uashingtoni do të duhet të kalojë pikën pa kthim, me dëmtimin më të rëndë kolateral në marrëdhëniet diplomatike dypalëshe, deri në uljen apo edhe ndërprerjen e tyre. Pala amerikane është paralajmëruar.

Çdo konfiskim i mundshëm i aseteve ruse nga SHBA do të shkatërrojë plotësisht marrëdhëniet dypalëshe të Moskës me Uashingtonin. Ne paralajmërojmë amerikanët për pasojat e dëmshme të veprimeve të tilla që do të dëmtojnë përgjithmonë marrëdhëniet dypalëshe, gjë që nuk është as në interesin e tyre dhe as në interesin tonë”, tha Darchiev.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›