E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kontrolli në Mar-a-Lago/ FBI sekuestron dokumente sekrete në shtëpinë e Donald Trump, publikohen fotot

Pas kontrollit të ushtruar në shtëpinë e ish-presidentit amerikan Donald Trump, FBI ka sekuestruar dokumente të fshehta. Agjentët e FBI kanë sekuestruar 11 grupe dokumentash, disa prej të cilave mbanin shënime “TS/SCI”, një përcaktim për materialin që mund të shkaktojë dëme “jashtëzakonisht të rënda” në sigurinë kombëtare të SHBA.  Kjo është hera e parë që u kontrollua shtëpia e një ish-presidenti në një hetim penal.

Lista e artikujve u bë publike më 12 gusht pasi një gjykatës hapi një dokument prej shtatë faqesh që përfshinte urdhrin që autorizon kontrollin e rezidencës së Trump në Palm Beach, Mar-a-Lago. 

Sipas BBC, 20 kuti me sende janë marrë nga shtëpia e Trump, duke përfshirë një lidhëse fotografish, një shënim të shkruar me dorë, informacione të paspecifikuara për “Presidentin e Francës” dhe një letër faljeje të shkruar në emër të aleatit prej një kohe të gjatë të Trump, Roger Stone, katër grupe dosjesh tepër sekrete, tre grupe “dokumentesh sekrete” dhe tre grupe materialesh “konfidenciale”.

Urdhri tregon se agjentët e FBI-së po kërkonin shkelje të mundshme të Aktit të Spiunazhit, i cili e bën të paligjshme mbajtjen ose transmetimin e informacionit potencialisht të rrezikshëm të sigurisë kombëtare. Heqja e dokumenteve ose materialeve të klasifikuara është e ndaluar me ligj dhe dënohet deri në pesë vjet burg.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›