Rusia paralajmëron për pasoja, nëse SHBA dërgon raketa Patriot në Ukrainë

Ministria e Jashtme e Rusisë paralajmëroi sot se nëse Shtetet e Bashkuara konfirmojnë raportet se po planifikon të dërgojë raketa të sofistikuara në ndihmë të mbrojtjes ajrore të Ukrainës, ky do të ishte “një tjetër veprim provokues nga SHBA”, që mund të nxiste përgjigje nga Moska.
Zëdhënësja e ministrisë, Maria Zakharova, tha në një konferencë për mediat se SHBA-ja është bërë “në mënyrë efektive palë” në luftën në Ukrainë, pas raportimeve se do t’i sigurojë Kievit raketat tokë-ajër Patriot, që janë më të avancuara se ato që ka ofruar Perëndimi deri më tani për zmbrapsjen e sulmeve ajrore ruse.
Rritja e sasive të ndihmës ushtarake nga SHBA-ja, duke përfshirë transferimin e armëve të tilla të sofistikuara, “do të nënkuptonte një përfshirje edhe më të gjerë të personelit ushtarak armik, gjë që mund të sjellë pasoja,”- shtoi Zakharova.
Ajo nuk specifikoi se cilat mund të jenë pasojat nga ana e Rusisë.
Zyrtarët amerikanë thanë dy ditë më parë se Uashingtoni ishte gati të miratonte dërgimin e një baterie raketash Patriot në Ukrainë, duke rënë dakord më në fund për të miratuar një kërkesë urgjente të bërë nga udhëheqësit ukrainas, të cilët po kërkojnë të dëshpëruar armë më të fuqishme për të rrëzuar raketat ruse, që kanë dëmtuar pjesën më të madhe të infrastrukturës jetike të vendit. Apnews
/rtsh.al/