“Rusia të pushtojë aleatët e NATO-s”, Biden reagon ndaj deklaratave të Trumpit: I është përkulur Putinit

Presidenti Joe Biden ka akuzuar Donald Trumpin se po nxit Rusinë të pushtojë vendet që nuk përmbushin detyrimet e të NATO-s, duke thënë se komente të tilla janë përkulje ndaj Vladimir Putinit.
Kritikat e fundit të Biden ndaj Trumpit nga Shtëpia e Bardhë – janë disa nga kritikat më të ashpra ndaj rivalit të tij të mundshëm në politikën e Jashtme deri më sot.
Duke folur në një tubim në Karolinën e Jugut, Trump tha se do të inkurajonte Rusinë që të bënte cc’të donte për çdo vend anëtar të NATO-s që nuk i përmbush udhëzimet e shpenzimeve për mbrojtjen.
Sipas Bidenit, këto komente dërguan një sinjal “të rrezikshëm dhe tronditës”.
“A mund ta imagjinoni një ish-president të Shteteve të Bashkuara duke thënë këtë?”, pyeti Biden me mosbesim nga dhoma e ngrënies së shtetit.
“E gjithë bota e dëgjoi. Gjëja më e keqe është se ai e mendon atë”, u shpreh Biden.
“Kur Amerika e jep fjalë, ajo ka peshë,” deklaroi Biden. “Donald Trumpi e konsideron këtë si barrë.”
Biden e filloi fjalimin e tij duke inkurajuar Dhomën e Përfaqësuesve që të mbajë një votim për paketën e ndihmës shtesë prej 95 miliardë dollarësh, të miratuar nga Senati, që do të ofronte ndihmë për Ukrainën, Izraelin dhe partnerët e SHBA-së në rajonin Indo-Paqësor, si dhe atë humanitare palestinezët në Rripin e Gazës.
Më shumë se 60 miliardë dollarë nga paketa e Senatit do t’i dërgohen Ukrainës.
Përpjekjet e mëparshme për të miratuar një paketë ndihme – të kombinuara me një projekt-ligj për sigurinë kufitare – u anuluan pasi Trump doli në opozitë.
Komenti i Trump ngjalli reagime të menjëhershme, jo vetëm nga struktura e politikës së jashtme amerikane, por nga aleatët e NATO-s, të cilët kanë parë me kujdes se si Rusia vazhdon me pushtimin e saj në Ukrainë.
/rtsh.al/