E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rusia zgjat marrëveshjen e grurit me Ukrainën, Rama: Linjë e rëndësishme e furnizimit me ushqime, jetike për botën

Rusia ka zgjatur marrëveshjen e grurit me Ukrainën. Kryeministri Edi Rama ka mirëpritur rinovimin e kësaj marrëveshje duke deklaruar se kjo linjë është e rëndësishme për furnizimin me ushqime.

“Shqipëria mirëpret rinovimin e Iniciativës për Kokrrat e Detit të Zi. Kjo linjë e rëndësishme e furnizimit me ushqime mbetet jetike për botën. Unë e përgëzoj Turqinë, Presidentin Erdogan & Antonio Guterres për angazhimin e tyre të fortë të vazhdueshëm. Diplomacia është gjithmonë mënyra më e mirë për të gjetur zgjidhje”, shkruan Kryeministri Edi Rama nw rrjetin social Twitter.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka mirëpritur zgjatjen e afatit të marrëveshjes së grurit të Detit të Zi. Në një postim në rrjetin social Twitter, Guterres deklaroi se Iniciativa e Drithërave të Detit të Zi lehtëson lundrimin e sigurt të eksportit të drithërave, produkteve ushqimore nga Ukraina.

“Unë mirëpres marrëveshjen e të gjitha palëve për të vazhduar Iniciativën e Drithërave të Detit të Zi për të lehtësuar lundrimin e sigurt të eksportit të drithërave, produkteve ushqimore dhe plehrave nga Ukraina. Iniciativa tregon rëndësinë e diplomacisë diskrete në gjetjen e zgjidhjeve shumëpalëshe”, tha Guterres.

Marrëveshja e drithit u ndërmjetësua në korrik nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia për të lejuar Ukrainën të rifillojë eksportin e grurit dhe produkteve të tjera bujqësore pasi Rusia filloi një sulm në shkallë të plotë ndaj vendit në shkurt. Marrëveshja duhej të skadonte më 19 nëntor por u zgjat me 120 ditë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›