E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rutte: Pres që anëtarët e aleancës të bien dakord për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB

Aleatët e NATO-s po lëvizin drejt një standardi të ri shpenzimesh për mbrojtjen prej 5 përqind të PBB-së përpara samitit vendimtar të liderëve muajin e ardhshëm, tha Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Mark Rutte.

“Mendoj se në Hagë do të biem dakord për një objektiv më të lartë shpenzimesh për mbrojtjen prej gjithsej 5 përqind”, tha Rutte gjatë një seance pyetje-përgjigje në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Shtetet e Bashkuara.

“Ne kemi nevojë për këtë, sepse përndryshe nuk do t’i arrijmë kurrë objektivat”, shtoi ai.

Rutte tha se pret që objektivi më i lartë për shpenzimet e mbrojtjes të miratohet gjatë samitit – një total prej 5%.

Sipas Rutte, më shumë se 3% do të shkojnë për shpenzimet tradicionale të mbrojtjes – dokumentet e brendshme përmendin 3,5%. Pjesa tjetër mund të shkojë për shpenzime të lidhura me mbrojtjen, siç është infrastruktura ushtarake, duke përfshirë linjat hekurudhore, urat e tankeve dhe portet e zgjeruara.

Thirrja e Rutte pasqyron kërkesën e Uashingtonit – që u kërkon vendeve perëndimore të varen më pak nga SHBA-ja për sigurinë – dhe të investojnë më shumë në mbrojtjen e tyre.

Deklarata e tij vjen gati dy javë pas një takimi të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Turqi – ku Gjermania mbështeti kërkesën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që anëtarët e NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në 5% të produktit të tyre të brendshëm bruto (PBB).

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›