E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rutte nga Konferenca e Mynihut: NATO do të fitojë çdo luftë me Rusinë nëse na sulmon

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përdori gjuhë të ashpër kundër Rusisë gjatë Konferencës së Mynihut, ndërsa përfshiu edhe përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Holandës, Suedisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Rutte deklaroi se Rusia po vuan “humbje të tmerrshme” në Ukrainë, duke vlerësuar se afërsisht 65,000 ushtarë të saj janë vrarë në dy muajt e fundit.

Në një diskutim në tryezë të rrumbullakët me gazetarët në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, ai e përshkroi NATO-n si mjaftueshëm të fortë sa Rusia nuk do të kërkonte tani të sulmonte një vend anëtar.

“Ne do të fitojmë çdo luftë me Rusinë nëse ajo na sulmon tani dhe duhet të sigurohemi që pas dy, katër, gjashtë vjetësh e njëjta gjë do të ndodhë“, vlerësoi Rutte.

Për më tepër, Rutte deklaroi se askush në Evropë nuk po kërkon të zëvendësojë ombrellën bërthamore të SHBA-së, pasi Gjermania njoftoi se po diskutonte me Francën për parandalimin bërthamor.

“Mendoj se të gjitha diskutimet në Evropë që synojnë forcimin kolektiv të parandalimit bërthamor janë një gjë e mirë, por askush në Evropë nuk po argumenton se kjo do të zëvendësojë ombrellën bërthamore të SHBA-së”, u tha Rutte gazetarëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›